Në Prespën turistike që vetëm këtë vit mikpriti rreth 80 mijë vizitorë
Nga Nikolla Lena
Mbi 80 mijë vizitorë kanë kaluar apo janë relaksuar në hapësirat e liqeneve të Prespës këtë vit. Statistikat janë publikuar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të Korçës që mbulojnë këtë rajon. Prespa, ose Liqeni i Prespës është ndër liqenet me ujëra të pastra dhe të freskëta në Evropë, që u takon tre shteteve Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë.
Liqeni i Prespës, është një nga zonat më tërheqëse turistike të Ballkanit. Përveç bukurive natyrore shquhet për florën dhe faunën mjaft të pasur. Kjo është një nga arsyet që ky liqen është tepër i vizitueshëm në periudhën e ngrohtë të verës.
Turistë të shumtë nga vendi dhe bota, mbërrijnë aty dhe tërhiqen nga kurioziteti natyrorë, historik dhe kulturor që gjendet në ishujt e liqenit. Ndërsa kurioziteti final i vizitorëve është ishulli i Maligradit. Ishulli i Maligradit, nga larg ngjan me një sofër gjigante në mes të ujit dhe në ditët e verës ka mjaftë vizitorë.
Në bregun e tij perëndimor ndodhet shpella e Kishës, e cila për formën e veçantë dhe të çuditshme, u quajt vend i shenjtë. Aty është ndërtuar një kishë e vjetër në shek. XIV. Për të shkuar në ishullin “mistik”të Maligradit, një kreshtë shkëmbore që sfidon me ashpërsinë e pamjes së tij, nevojiten varkat. Çdo shtëpi e fshatit ka varkën e vet, por turistët duan siguri dhe kërkojnë të vozitin me peshkatarë, sepse ata ia dinë mirë hiletë varkës dhe liqenit.
Peshkatarët këtu i gjen me shumicë duke peshkuar apo thurur rrjetat e peshkimit. Na thonë se këtu vijnë shumë turistë për të vizituar natyrën apo kishat dhe shpellat. Ata kështu bëhen dhe një burim i mirë tregtie për peshkun dhe produktet e fshatit. Dallohet qartë që vendasit kanë disa vjet që u janë kthyer atyre gjërave tradicionale, peshkimit, ndërtimit, bujqësisë dhe blegtorisë dhe sëfundmi turizmit.
Bie fjala, i janë kthyer prodhimit të drufrutorëve të tyre, vreshtarisë, mollëve e kumbullave që i kishin lënë pas dore në kohën e tranzicionit.
Kur e shikon në distancë ishullin e Maligradit dhe tenton t’i afrohesh atij, ndjen se i afrohesh një enigme apo legjende. Banorët flasin për një “përbindësh”që është parë në ujërat e këtij liqeni, që shfaqej e zhdukej në netët me hënë, që e kishte parë filani e filani,që paska shkruar dhe BBC e paska transmetuar një reportazh për këtë ngjarje..e plot gojëdhëna të tjera, por që kanë një të vërtetë, që Prespa vazhdon të jetojë mbi gërmadhat e një qytetërimi tepër të hershëm pellazgo-ilir.
Peshkatarët thonë se vetë nuk e kanë parë “përbindëshin” misterioz, por dyshojnë se mund të këtë qenë ndonjë peshk i madh apo impression nga e shkuara misterioze.
Po, misteret e Prespës nuk mbarojnë këtu. Banorët të thonë se se shumë druvarë që shkojnë në mal për të prerë trupa kanë parë disa hije të çuditshme mbi liqen. Legjenda misterioze e “përbindëshit të Prespës” mbetet ende legjendë, paçka, le të mbetet, ndonjëherë misteret dhe legjendat i tërheqin më tepër turistët dhe vizitorët. Prandaj dhe unë shkrova para ca kohësh për turizmin mitologjik.
Ai duhet shfrytëzuar si një burim i mirëfilltë turizmi e fitimi. Vendi ynë është i mbushur me legjenda e mite, ato duhen nxjerrë në dritë dhe duhen reklamuar.
“Maligrad” është fjalë në maqedonisht, që në shqip përkthehet “qytet i vogël”. Në pjesën maqedonase të liqenit ka një ishull tjetër të ngjashëm me këtë, por 4-5 herë më të madh dhe për këtë arsye quhet “Golemgrad” që në shqip do të thotë “qytet i madh”.
Shpeshherë turistët i vizitojnë të dy ishujt. Edhe në ishullin tjetër ka dy kisha ortodokse të periudhës byzantine. Ndërsa në Maligrad, ndodhet një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore, Kisha e Shën Mërisë, që daton në Shekullin XIV. Këtu janë gjetur edhe objekte të tjera arkeologjike si tjegulla, kolona e kapitele që sipas arkeologëve i përkasin një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit.
Sipas vendasve, mendohet se pjesa e vizitueshme e kësaj kishe është rindërtuar nga Car Simeoni dhe se në pjesën e sipërme të ishullit shkëmbor gjenden edhe sot rrënojat e vilës verore të shekullit XI. Mandej, në ballinën e kishës ndodhen afresket me piktura të portreteve të Carit që e rindërtoi kishën, bashkëshortes së tij, dhëndrit dhe vajzës së tij të cilët janë kurorëzuar në altarin e kishës së Shën Mërisë këtu në ishull. Kisha e Shën Mërisë është një objekt kulti i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësit shqiptarë të Muzakajve.
Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske.
Atraksionet kulturore që tërheqin turistët këtu janë të pashtershme. Në shpellën e Maligradit, ku ndodhet Kisha e Shën Mërisë, janë dy afreske të rralla, “Puthja e Judës” dhe “Shën Mëria”. Ndërsa në një libër të shkruar nga Gjon Muzakaj shkruhet se pikërisht në këtë ishull është varrosur gjyshja e tij.
Histori e legjenda vërtet të çuditshme. Të intrigojnë këtu në brigjet ku kryqëzohen kufijtë shtetërorë të tre vendeve jo vetëm legjendat e përcjella gojë më gojë, por edhe realiteti i prekshëm.
Disa vende eremitësh, që studiuesit i vendosin mes shekullit XII dhe XIII, më tej poshtë fshatit Gollomboç, në një vend që vendasit e quajnë “shpella e zezë” ndodhet Kisha e vjetër e Evangjelizmit, ku ruhet afresku i ungjillëzimit, në rrethinat e Shulit gjendet Kisha e vjetër e Shën Kollit me afresket e gdhendura në faqen e shkëmbit mbi shpellë.
Në saj të këtyre resurseve,Prespa po tërheq përditë e më shumë turist. Turizmi spelologjikë, përbënë një tjetër atraksion. Mjafton të shikosh shtimin e përditshëm të varkave dhe tavernave në breg të liqenit, kryesisht në verë, për të kuptuar se këtu ka një potencial të jashtëzakonshëm eko-turistik, të turizmit kulturor dhe atij folklorik, të turizmit mitologjik, të natyrës, të sporteve të ujit të ngjitjeve shkëmbore dhe të kulinarisë. /ATSH/