NE SVILENGRAD: Midis tingujve të muzikës dhe bujarisë bullgare
Ded Kola
Svilengradi është një qytet modest bullgar, për nga popullsia, por jo për nga historia apo meraku për ruajtjen dhe trashëgimin e traditës.
Ftesa për 10 vjetorin e Ansamblit Folklorik të këtij qyteti, në adresë të Konsullit të Nderit të Bullgarisë në Shqipëri, Z.Selim Hoxhaj, bëri që dhe një grup gazetarësh nga Agjensia Telegrafike Shqiptare, Televizioni Publik Shqiptar, gazeta “Ekonomia”, etj. por edhe biznesmenë, të marrin udhëtimin nga Tirana drejt qytetit antik. Ishte një aktivitet që u organizua në Svilengrad, në kuadër të shumë aktiviteteve, në po zhvillohen në Bullgari, në prag të 24 majit, “Dita e arsimit dhe kulturës bullgare dhe shkrimit sllav, krijuesit e alfabetit-Vëllezërit Kirili dhe Metodi”.
Pas rreth 600 km rrugë dhe një natë te kaluar në Sofje, dita tjetër kishte përpara edhe 296 km rrugë të tjera për të arritur në Svilengrad, qyteti i ngritur historikisht në trekëndëshin Bullgari-Turqi-Greqi: 3 km larg Greqisë dhe 15 km larg Turqisë. Ansambli Folklorik i Svilengradit para tre vitesh mori çmim të parë në Festivatin Folklorik Ndërkombëtar të organizuar në Ballsh ku merita për organizimin i takojnë Konsullit Selim Hoxhaj. Dhe bullgarët si mikpritës dhe mirënjohës donin që gëzimin e tyre ta ndanin bashkë me ne. Pallati i Kulturës, financimi 80 përqind nga Qeveria Qëndrore në Sofje, grupi folklorik perfekt, muzika, këngët, ruajtja me fanatizëm e traditës na vunë ne mendime për degradimin që kanë pësuar këto struktura muzikore të cilat nuk është se nuk i kemi patur, por që nuk është se tani i kemi.
Ne nuk ishim të parët dhe të vetmit që zbrisnim në Svilengrad, qytetin që dikur e konsideronin si vëndin e mëndafshit, apo një nga pikëkalimet e rrugës së famshme të mëndafshit, që nisjen e kishte në lindjen e largme. Shqiptarë të tjerë para disa shekujsh kishin lënë gjurmë në Svilengrad. Dhe ciceronja, apo shefja e muzeut në Svilengrad nuk heziton të na i bëjë prezente. Vendosja e lidhjeve midis nesh dhe shqiptarëve të kahershëm, madje sikur i jep një ndriçim të brëndëshëm. Në kohën e Perandorisë Osmane, Bullgaria sundohej nga një shqiptar, Mustafa Pashaj quhej. Ura më e madhe që lidhte Konstandinopojën me Svilengradin quhej sot “Ura e Mustafa Pashajt”, ka përfunduar në vitin 1529 dhe ka qenë pjesë e një kompleksi vakıf që gjithashtu përfshinte një hotel i madh, xhami, pazarin dhe hamamin. Dhe duke na folur per urën, poshtë këmbëve kalon lumi Marica, një tjetër shqiptar i famshëm është identifikuar me këtë urë. Projektin e urës e ka bërë arkitekt Sinani, një prej arkitektëve më të famshëm të perandorisë Osmane. Ura është 295 m të gjatë, 6 m të gjerë dhe ka 20 ose 21 harqe. Nuk mund të rrinin pa e fiksuar në aparatet fotografike këtë urë.
Një takim i veçantë u zhvillua në Bashkinë e Svilengradit. Kryetari Bashkisë z.Georgi Manolov i cili megjithëse ka kandiduar si i pavavur, ka mandatin e tretë në këtë detyrë.
Biseda mes z.Manolov dhe Konsullit të Nderit të Bullgarisë në Shqipëri z.Hoxhaj ishte e ngrohtë, e natyrshme dhe miqësore, për marrëdhëniet midis dy vendeve, potencialet ekonomike të Svilengradit dhe dëshirën për binjakëzim me ndonjë qytet në Shqipëri, për shkëmbimet turistike, etj. ”Grupi ynë folklorik i Svilengradit mori çmim të parë në festivalin ndërkombëtar të Ballshit dhe ne ju falenderojmë për organizimin dhe pritjen që i bëtë grupit tonë”, thotë z.Manolov duke ju drejtuar z.Hoxhaj. ”Por, vazhdoi ai, në qershor do të organizojmë një festival të ansamblemeve popullore nga vëndet e rajonit dhe kemi shumë dëshirë të kemi prezent edhe një grup nga shqipëria. A mund të na ndihmoni për të sjellë këngën polifonike shqiptare në Svilengad, sepse kemi dëgjuar për këngët tuaja polifonike”, thotë Manolov. Ishte një ftesë e paparashikuar, por e mirëpritur nga ne. ”Sjellim grupin e Kaninës”, përgjigjet menjëherë biznesmeni vlonjat i apasionuar me këngën labe, Platon Shabani. ”E marr unë përsipër, ku ta gjesh të sjellësh këtu këngën tonë të bukur polifonike”, tha ai. Aty u tha, aty u bë.
Svilengradi, me 22 fshatra dhe 27 mijë banorë, me dy pika kalimi me Greqinë dhe Turqinë, industri vere me teknologji franceze që po financohet nga Bashkimi Europian, me valixhen në muze që nga viti 1913, sebepi që i zoti i saj bullgar shpëtoi pa u mbytur në Titanikun e famshëm britanik, ka të zhvilluar turizmin, hotelerinë, transportin, bujqësinë, e në mënyrë të veçantë vreshtarinë, etj. Kjo edhe për shkak të klimës së ngrohtë, që rrezëllin edhe në fytyrat e njerëzve. ”Svilengradi ka nivelin më të ulët të papunësië në Bullgari”, thotë Manolov.
Por Svilengradi nuk mund të kuptohet pa grupin folklorik. Të gjithë amatorë, por profesioniste të vërtetë në interpretimin e muzikës dhe këngës popullore.
Një mbrëmje festive, jubilare. Salla e mbushur plot, buqeta të mëdha me lule, ndriçimi që nuk i linte asgjë mangut qëndrave të mëdha kulturore në metropole, një vënd i veçantë, rezervuar për ne nga Shqipëria, na bënte krenarë. Pallati i Kulturës i ndërtuar në vitin 1870, i cili ishte në restaurim sipas një projekti të Bashkimit Europian, reflekton kudo historiken dhe bashkëkohoren. Në 10 vjetorin e Ansamblit Folklorik të Svilengradit ishte e ftuar edhe një prej këngëtareve më të mira të Ansamblit Shtetëror më qendër të Sofje, por me origjinë nga Svilengradi. Duke kënduar një grup këngësh me dy vajzat e saj, ajo dëshmonte që muzika popullore bullgare mbartet nga brezi në brez.
Sadisfaksion i veçantë kur prezantuesja e koncertit u bëri të ditur spektatorëve se në sallë ishin të ftuar miq nga Shqipëria, Konsulli i Nderit i Bullgarisë në Shqipëri, z.Selim Hoxhaj, por edhe gazetarë e biznesmenë. Kameramani ynë nuk e hoqi nga supi aparatin për asnjë sekondë, në koncertin prej rreth 2 orësh. Çdo gjë është fiksuar në aparatin e tij. Këngët, vallet, lëvizjet, instrumentistët, duartrokitjet, përshëndetjet, vlerësimet, titujt e nderit, për valltarë, këngëtarë, apo instrumenistë. Në mënyrë të veçantë, ngjitja në skenë e Konsullit Selim Hoxhaj, përshendetja e të pranishmëve që ishin ngritur në këmbë ku mes duartrokitjeve Hoxhaj dhuroj një tufë të madhe me lule për drejtuesit e Ansamblit Folklorik të Svilengradit, çka uli siparin e këtij përvjetori artistik, në atë qytet që na u bë i afërt edhe në ato pak orë të qëndrimit atje.
Svilengrad, 30 prill 2014