Në Trepçë po mbarojnë rezervat e eksplozivit, rrezikohet prodhimi
Rezervat e eksplozivit në minierat e “Trepçës” në Stan Tërg dhe në Artanë janë në përfundim, andaj edhe prodhimi në këto dy miniera do të ndërpritet krejtësisht, është bërë e ditur nga zyrtarë të gjigantit kosovar “Trepça” në Mitrovicë. Megjithëse që nga 24 janari ka skaduar licenca e shfrytëzimi, miniera e Stan Tërgut dhe ajo në Artanë kanë punuar pa ndërprerje, ndonëse pa licencë eksploatimi i xeheve konsiderohet i paligjshëm, ndërsa tani, kur rezervat eksplozivit kanë rënë fund, e pa licencë nuk mund të shpallet tender, prodhimi do të ndërpritet krejtësisht.
Musa Mustafa, shef i Zyrës për Informim në “Trepçë”, tha se dëmet e deritashme për shkak të mungesë së licencës janë jashtëzakonisht të mëdha dhe se një pjesë e tyre duhet të mbulohen nga institucionet e shtetit të Kosovës. Kjo për faktin, se siç ka thënë Mustafa, ato nuk kanë bërë asgjë që ta kompletojnë Bordin e Komisionin për Miniera dhe Minerare, e cila lëshon licencën e shfrytëzimit.
“Në pamundësi të prodhimit, në mungesë të licencës të shfrytëzimit, këto dy miniera, por edhe “Trepça” në përgjithësi qysh tani janë në gjendje të rëndë, e nëse vazhdohet edhe më tutje të mos na jepet licenca, atëherë edhe gjendja financiare do të jetë shumë e rëndë.