Negociatat/ Roth: Bundestagu nuk formulon kushte, nuk do të ketë procedurë të klasit të dytë për Shqipërinë
Ministri gjerman i Europës, Michael Roth, thotë në intervistë për DW, se kushtet për negociatat e Shqipërisë nuk i formulon Bundestagu, por Komisioni Europian dhe se Shqipëria nuk do të ketë anëtarësim të klasit të dytë.
I pyetur nëse ndihet i lumtur për dritën jeshile që dha parlamenti gjerman për fillimin e negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Roth tha se, “sigurisht që jam i lumtur për këtë votim të qartë të Bundestag-ut gjerman. Më është dashur t’u shpjegojë sa e sa herë miqve tanë në Bashkimin Europian, por edhe në Ballkanin Perëndimor që si Ministër për Europën, mund të jap miratimin tim në Këshillin e Përgjithshëm, vetëm nëse më parë jam marrë vesh me Bundestag-un. Tani kjo ndodhi dhe shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë”.
I pyetur se cilat janë pengesat që kanë mbetur për t’u kapërcyer tani, Roth theksoi se, “ne kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Europian. Të dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam më optimist se para gjashtë muajsh, sepse në fund të fundit duhet të dërgojmë sinjale pozitive inkurajuese në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet ia vlejnë”.
I pyetur mbi Presidentin francez, i cili ende nuk ka sinjalizuar një “po” dhe se cili do të ishte rreziku nëse nuk do të çeleshin negociatat, Roth tha se, “Bashkimi Europian duhet të jetë i besueshëm dhe t’u qëndrojë angazhimeve të tij. Dhe, nëse kushtet janë përmbushur, atëherë duhet të bëjmë edhe ne një hap përpara. Shpresojmë se do ta bëjmë këtë tani, por është e qartë për të gjithë se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ne nuk jemi në prag të anëtarësimit, por në fillim të negociatave të anëtarësimit. Problemi është se ne tani jemi të zhveshur nga iluzionet. Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë të zhgënjyera. Nuk po ecet përpara, as në aspektin social e as në aspektin ekonomik. Sukseset sociale dhe ekonomike mungojnë. Herë pas here ka ende mungesë të kulturës demokratike. Por ne të gjithë e kuptojmë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk është oborri i pasëm i Evropës, por është oborri i brendshëm i Evropës. Dhe qëllimi ynë kryesor duhet të jetë sigurimi i paqes, i pajtimit, i stabilitetit, i demokracisë edhe në Ballkanin Perëndimor”.
Në lidhje me nëntë kushtet për Shqipërinë të vendosura nga Bundestagu gjerman dhe si duhet t’i lexojë politika shqiptare këto kushte, Roth tha se, “së pari, Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim , kështu do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv. Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë”.