Arte

Neruda, poeti i udhëtimit dhe të kënduarit nëpërmes botës

Nostalgji – librat e rinisë/ “Zgjohu druvar” i Pablo Nerudës

Preç Zogaj

Kur më ra në  dorë vëllimi poetik “Zgjohu  druvar”, nuk kisha lexuar asgjë  nga autori Pablo Neruda.  Emri i tij u lidh përgjithmonë në adhurimin tim për  poezinë e tij,  me vargjet e paharruara hyrëse të poemës që i kishte dhënë titullin vëllimit.

Në perëndim të Lumit Kolorado ndodhet një vend që e dua

Për atje çapin tim po nxitoj me gjithçka që më dridhëron dhe përshkon

Me gjithçka që kam qenë dhe që jam,

Me gjithçka që besoj ….

Tingëllonin  si  uvertura e  një simfonie të madhe, të çonin peshë,  të nisnin në një udhëtim poetik të gjatë,  në këmbë,  përmes Andeve të Amerikës së  Jugut dhe  kontinenteve të tjerë, nëpër  vende, histori, ngjarje  dhe fate, ku  poeti  shtrinte  këngën e tij nën dritën e pishtarit të ndezur apo syve plot ndriçim.

Me një lexim të pare,  nuk mund të mos kapje ngjashmëritë   stilistike dhe sonore  me poezinë e  Walt Whitman, vëllimin “Fije bari” të të cilit  kisha patur fatin ta lexoja  i magjepsur, në vitin e katërt të shkollës së mesme; nuk mund të mos mendoje ndërkaq  se poetët e Amerikave  e plazmonin  poezinë  në  paanësinë e  hapësirës,  e kurdisnin  në të folurën prej zotash  dhe mishëronin  në  gjithë qënien e tyre  figurën  sovrane të  poetit, si  prijës  dhe autoritet shpirtëror e mendor pa të ngjashëm.  Neruda m’u duk  kështu  si një lloj  Whitman-i  i Amerikës së Jugut. Me ndryshimin se duke qenë mes tyre një shekull – Whitman  kishte jetuar në shekullin e nëntëmbëdhjetë –  poezia e Nerudës ishte thurur me  leksikun e shekullit të ri.  Me leksikun në  kuptimin e gjerë të fjalës,  që është ai i temave dhe qasjeve, para se të jetë i fjalëve a lokucioneve  të reja  që  vijnë  me kohën dhe zhvillimin.

Shqipëria u kishte dhënë ndërkaq  fatit të  këtyre dy poetëvë  ngjashmëri të tjera, për të cilat  vështirë se mund të dëshmonte kush jashtë kufinjve të saj. “Fije Bari” dhe  “Zgjohu druvar”  ishin botuar respektivisht  në vitet e largëta  1957 dhe 1958,  përkthyer nga dy mjeshtra  pothuajse të harruar, nga Skënder Luarasi  i pari dhe Mitrush Kuteli i dyti.  Dhe ishin shtyrë këto vëllime në  skutat e bibliotekave,  si për  t’i fshehur nga lexuesit, një nxjerrje pa shpallje dhe pa vendim nga qarkullimi , duke  ia lënë  këtë detyrë shpërfilljes, harresës.  Kjo  ishte e çuditshme, veçanërisht për  “Zgjohu druvar”. Neruda ishte komunist. Një komunist latinoamerikan, në luksin për ta ndjekur si një ëndërr të bukur idenë  e  barazisë dhe lumturisë utopike, pa e jetuar komunizmin si regjim.  Në  vëllimin e tij  kishte  pasazhe dhe  këngë lavdërimi për Stalingradin, Ushtrinë e Kuqe,  Stalinin; kishte  stigma  kundër   padrejtësive shoqërore, varfërisë,  shfrytëzimit dhe shtypjes  së  njerëzve të thjeshtë- tema dhe trajtesa  tipike te poetëve revolucionarë. Në vëllim gjeje ndërkaq pasazhe poemash, poezi të plota dhe lirika dashurie të një bukurie të rrallë. Angazhimi për barazi dhe drejtësi shoqërore, lirizmi dhe dashuria e thellë e poetit për njeriun dhe njerëzimin, pacifizmi universal si derivat i kësaj i dashurie, vinin  si një  tërësi e vetme, organike.  Dhe ka gjasa që pikërisht fryma e dashurisë universale, që e përfshinte kredon e barazisë dhe drejtësisë, por jo luftën e klasave sipas kuptimit bolshevik, kishte qenë shkaku që edhe  vëllimi i Nerudës  ishte  shtyrë në  bodrumet e bibliotekave tona.

“Zgjohu druvar” ishte një poemë e gjatë, një ndërthurje motivesh historike, politike, humane dhe ekzistenciale, një miksim përqasjesh ku ligjërimi i shtruar  plot energji të brendshme varionte në oktava dhe marshe të larmishme midis revoltës e dhimbjes,  angazhimit  të fortë  dhe  ëndrrës së madhe të paqes, vëllazërimit, drejtësisë, barazisë e lumturisë për gjithë njerëzit. Nga gjithë kjo ndërthurje, shiriti  i kujtesës sime ka regjistruar pjesën përmbyllëse të poemës:

Paqe mbi perëndimet e ardhshme të diellit,

Paqe mbi urat, paqe mbi verën,

Paqe mbi fjalën që më bren e më bluan,

Paqe mbi qytetin mëngjesor kur buka të zgjon,

Paqe mbi lumin Misisipi, lumin e rrënjëve

Paqe mbi këmishën e tim vëllai,

Paqe mbi librin paqësor e të kulluar si ajri,

Paqe mbi zemrën e shqyer të Spanjës luftëtare ….

…………………………………………………………………………….

Tani lamtumirë ju them dhe kthehem

në shtëpinë time, tek ëndrrat e mia,

Kthehem në Patagoni, atje ku era mbi plevica  gumëzhin,

Atje stërkala akulli bien mbi faqen e oqeanit.

S’jam gjë veçse poet. Ju dua të gjithëve.

Bredh nëpër botën time të dashur.

Në atdheun tim burgosen minatorët,

Dhe ushtarët u japin urdhër gjykatësve,

Por unë e dua gjer thellë në rrënjët

vendin tim të vogël dhe të ftohtë,

Dhe po të duhej të vdisja njëmijë herë –

Aty do të desha të vdisja.

Dhe po të duhej të lindja njëmijë here –

Aty do të desha të lindja.

Afër Arakaunës së egër,

Afër shkulmeve të erës së Jugës,

Nën kambanat e reja…

Vargjet e fundit qenë bërë një himn i dashurisë sime dhe miqve të mi poetë për vendilindjen, për atdheun. Të  gjithë do të donim të vdisnin e të lindnim, edhe sikur të vdisnim e lindnim  njëmijë herë,  në tokën ku kishim parë diellin për herë të parë.  Neruda kishte dhuntinë ta vishte me vezullim gjithçka që emërtonte, gjithçka që thoshte; muzika e fuqishme e vargut të tij të lirë e ngrinte inventarin e  grimcave, elementëve, sendeve, objekteve, pohimeve dhe shprehjeve të habitatit të prozës në rendin e një  poezie të lartë, që rridhte si lumë i gjerë me shumë degëzime. Ai ishte një kompozitor, që shkruante muzikë me fjalë.  Poezia ishte në  pelegrinazhin e tij  pa pauza  nga një vend në tjetrin,  si  bartës  dhe  përhapës  mesazhesh apostolike të një natyre  tokësore, siç do ta thosha sot. Por atëherë vetëm magjepsesha, duke e  ndjekur me sytë e mendjes tek trokiste  në shtëpinë e panjohur të radhës dhe “derën ma hapi një çift i ri/ që syri s’ma kishte zënë kurrë/ Më thanë: Ne rronim të ndarë/ dhe kjo ndarje dukej se do të zgjaste përjetë/ por sot u  bashkuam që të të hapim derën/ sot bashkë të presim ty”.

Poezitë e dashurisë, të pakta në numër dhe të botuara në fund të librit,  ishin të tilla që rrallë  i kisha ndeshur.  “E humbëm edhe këtë ndajnatë/ askush s’na pa dorë për dorë në të ngrysur/ kur binte mbi botë muzgu i kaltër/ Nga dritarja ime pashë/ në perëndim bojën e qiellit të skuqur furrë/ Pastaj si një monedhë/ dielli u ndez më fort në duart e mia./ Ku ishte ti në atë kohë?/ Me ç’njerëz/ e ç’fjalë thoshe?/ Nuk e di përse dashuria më buçet për një çast/ kur përkrah meje shtrohet trishtimi…”.

“Me të tjerë ka shkuar/ po, me të tjerë…/ Sa e shkurtër është dashuria / sa i gjatë harrimi/ sepse në një natë të tillë e pata përqafuar/ dhe shpirti im vuan, atë e humba”.

“Zgjohu druvar” e pata  lexuar në vitin 1978. Një dekadë më vonë, kur  kishta  botuar tashmë librat e mi të parë  dhe kisha  lexuar poezi  të tjera  të Nerudës  dhe kisha mësuar se ai  kishte marrë  çmimin Nobël në vitin 1971 dhe kishte vdekur në vitin 1973  pas grushtit të shtetit në Kili,  u  botua në Shqipëri një përmbledhje  e gjerë me poezi të zgjedhura nga  tetëmbëdhjetë  vëllimet e  korpusit të tij poetik,  përkthyer nga poeti i  shquar shqiptar,  Fatos Arapi.  Spikasnin në atë përmbledhje lirikat e vëllimit “20 poezi dashurie dhe një këngë dëshpërimi”, botuar në  rininë e hershme  të autorit. Ato poezi e kishin bërë  menjëherë  të njohur në Kili dhe e kishin projektuar si një poet të madh  të botës dhe shekullit. Në përmbledhjen e re, Pablo Neruda përshfaqej në gjithë larminë e temave dhe stileve  nëpër të cilat kaloi poezia e tij e  thellë, e fuqishme. Por dashuria  kishte qenë  muza e tij,  e fillimit dhe fundit. Njëzet, pesëdhjetë apo  gjashtëdhjetë vjeç, Neruda shkruan  për  dashurinë me të njëjtin pasion, me të njëjtën etikë,  me të njëjtin sublimim, tek e  ndërthur lirizmin e tij  me estetikën e erotikës.

Trup gruaje, kodra të bardha, kofshë të bardha

Ti shfaqesh në botë në çastin që jepesh

Trupi im prej fshatari të plugon

Dhe bën që djali të dalë nga thellësia e tokës.

Isha i shkretë si një tunel. Prej meje iknin zogjtë

Dhe nata hynte në  pushtetin e saj të fuqishëm,

Që të mbetem gjallë të farkëtova ty si një armë:

Shigjetë për harkun, gur për hobenë.

Por vjen ora e hakmarrjes dhe të dua

Shtat lëkure e mushku, prej qumështi të etshëm

Ah, kupë e gjive! Ah sy të mungesës!

Trëndafili  pushor. Ah, zëri yt i ngadaltë dhe i trishtë.

Pas viteve nëntëdhjetë bleva në Itali  vëllimin e  tij “ 100 sonete dashurie”, njëqind  perla, dedikime për Matildën, muza dhe gruaja e tij e tretë dhe e fundit që pati. Njohja ime, gjithnjë e më gjerë, për Nerudën  vetëm u rrënjos  në brazdat e  mbresave të  pashlyeshme nga leximi i hershëm i  vëllimit “Zgjohu druvar”.

Duke iu kthyer atyre mbresave dhe poezisë së autorëve të tjerë të mëdhenj,  si  Majakovski,  Brehti, Janis Ricos, Pol Elyar, Nazim Hikmeti,  e plot të tjerë që  më kalojnë nëpër mend tani, dua të pohoj se  poetët e brezit tim  dhe ata para meje gjithashtu, erdhëm nga kjo poezi. Kur qe e mundur arritëm të kapnin me antenat e ngritura në mjegull edhe autorë të tjerë anglezë, amerikanë, italianë, francezë, grekë, hispanikë, portugezë,  e tjerë  e tjerë,  të ndaluar në Shqipëri. Por ushqimi ynë i parë ishin poetët e lejuar të shekullit të njëzetë,  poetë  komunistë shumica prej tyre. Me lirikat e tyre të mrekullueshme  ata e praronin   pjesën e angazhuar të  krijimtarisë së  tyre, madje vetë idenë e komunizmit. Në rininë time, unë  nuk e ndaja dot të qenët e tyre  poetë lirikë,  nga të qenët e tyre  poetë  doktrinarë. Pavarësisht se, për arsye dhe rrethana  të caktuara,  nuk i kam ndjekur  si doktrinarë. Të përhapur  në të katër anët e botës, ata  i kishte  bërë për  vete ëndrra e madhe komuniste e  barazisë,  që godet me lehtësi shpirtin artistik,  ëndërr e cila do të rezultonte një utopi e dhunës ektreme, edhe kundër atyre të cilëve u kishte  premtuar çlirimin, mirëqenien. Por vetëm pasi të merrte kohën e vet në zbatim, si ideologji sunduese e regjimeve tiranike. Ata që kanë lindur në vitet e fundit të komunizimit, apo pas viteve nëntëdhjetë në Shqipëri, mund të jenë më  mirëkuptues dhe më  të  gjerë  me poetët  që erdhën në letërsi  kryesisht  nga librat  e lejuar, edhe ata të censuruar në pjesë të caktuara  sipas kritereve ideologjike të kohës.  Krijimtaria jonë nuk mund të mos e reflektojë formimin tonë, leximet tona.  Dhe po të shtojmë këtu specifikat e komunizmit shqiptar, kampion i ortodoksisë staliniste, nganjëherë më vjen edhe çudi se si kanë arritur poetët  shqiptarë të asaj periudhe të  shkuajnë poezi  shumë të bukura,  që u qëndrojnë  kërkesave të artit  në çdo kohë; poezi dashurie,  ekzistenciale, futuriste, sureale, të çdo rryme të ndaluar, por që  e thithte si ajrin vetë natyra e poezisë; poezi dykuptimëshe gjithashtu,  ku shënjestrohej  me mjetet e letërsisë mbyllja, varfëria, shtypja.

Cili është raporti i poetit me atë pjesë të krijimtarisë së tij që koha e seleksionin si skarcitet letrar, shkruar nën  infuencën e kërkesave, metodave,  shkollave letrare, ngjarjeve a figurave  që historia  i ka zbritur nga piedestali?  Edhe në këtë pikë, Neruda jep një shembull  vërtetësie. Në librin e tij  autobiografik “Po ju them se kam jetuar”,  ka  faqe të mrekullueshme të reflektimit të tij, pas njohjes me të vërtetën e  stalinizmit dhe Stalinit. Nuk është  një pendim  artificial, një rebelim i kërkuar apo një distancim  nga pozitat e konformizmit të ri, por një  reflektim  i veshur  me  dhimbje për humbjen e utopisë.

Kështu, Neruda, poeti i udhëtimit dhe të kënduarit nëpërmes botës, siç ka thënë për veten e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button