Nesër përpjekje e re për të arritur marrëveshje për Kodin Zgjedhor, Gashi: Është mirë të ketë votim elektronik për diasporën
Koordinatorët e grupeve parlamentare nesër përsëri do të ulen në tryezë të përbashkët në përpjekje të re për të arritur marrëveshje për Kodin e ri Zgjedhor dhe kështu ta miratojnë zgjidhjen ligjore para afatit të ri që e caktoi Bashkimi Evropian për arritjen të edhe një hapi nga agjenda e reformave. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në briefingun e sotëm me gazetarët theksoi se ai është për votimin e diasporës, nëse shteti siguron fshehtësinë e votimit.
“Në parim, unë jam për votimin elektronik të diasporës, madje jam që kjo të mundësohet edhe brenda vendit. Me mundësimin e votimit elektronik të diasporës, do ta arrijmë parimin që çdo qytetar të ketë të drejtë vote, por nëse shteti është i gatshëm të sigurojë fshehtësinë e votimit. Duhet të ketë vullnet të mirë dhe mirëkuptim, sepse për këtë ligj nevojitet konsensus i partive dhe nuk është mirë të qëndrohet në llogore apo në vizatim vijash të kuqe”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Nga LSDMa thonë se Mickoski dhe OBRM-PDUKM nuk kanë ndërmend të heqin dorë, siç thonë, nga manipulimet dhe keqpërdorimet e mbi 200 mijë votave nga diaspora.
“Është e rrezikshme dhe shqetësuese që VMRO refuzon kategorikisht që KSHZ-ja, me konsensus, t’i rregullojë procedurat për votimin e diasporës. Nga çfarë ka frikë pushteti? Nëse vërtet qëllimi i tyre është proces zgjedhor i drejtë dhe demokratik, atëherë përse ikin nga një mekanizëm që siguron kontroll, besim dhe pëlqim mes gjithë faktorëve politikë? Por, e vërteta është se qëllimi i tyre nuk është proces zgjedhor më i mirë, por hapja e hapësirës për inxhiniering dhe manipulim zgjedhor”, shtoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Kryeministri Mickoski dje bëri ofertë të hapur ndaj opozitës se është i gatshëm të pranojë një njësi zgjedhore, si dhe kërkesën e Levicës për financim të shtuar të fushatës për partitë e vogla, nëse pranohet Kodi Zgjedhor në të cilin do të parashihet votimi elektronik i diasporës. Nga OBRM-PDUKM edhe sot me kritika ndaj opozitës se qëllimisht po e pengojnë miratimin e Kodit Zgjedhor.
“Venko Zaev dhe LSD kundërshtojnë zgjidhjen që diaspora e Maqedonisë të votojë në numër sa më të madh. Ne si VMRO-DPMNE propozuam që kjo të bëhet në rrugë elektronike ose me postë. Ky propozim u refuzua nga ana e Venko Zaevit dhe LSD-së, sepse tek ata mbizotëron frika se qytetarët që e braktisën shtetin gjatë periudhës së qeverisjes së tyre, nuk do ta mbështesin politikën e tyre”, u shpreh Valentin Manasievski.
Për momentin është ndal edhe puna e Komisionit për Sistem Politik, pasi u dorëzuan 13.500 amendamente nga LSDM-ja dhe Levica, për shkak se të gjitha këto amendamente duhet të përkthehen. Për tani nuk ka as njoftim se kur Komisioni do të mund të vazhdojë punën dhe nëse paraprakisht do të presë ndonjë marrëveshje eventuale mes partive për Kodin Zgjedhor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.