Kosova

Nga 1 prilli, energjia elektrike do të jetë 14% më e shtrenjtë në Kosovë

Qytetarët e Kosovës do të përballen edhe me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Nga 1 prilli do të hyjnë tarifat e reja të cilat janë 14 për qind më të shtrenjta.

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, e ka konfirmuar se nga prilli  do të hyjnë në fuqi tarifat e reja.

Këto tarifa sipas tij do të jenë 14 për qind më të shtrenjta.

“Tarifat e reja do të hynë në fuqi më 1 prill 2023 dhe do të jenë në fuqi deri më 31 mars 2024. Sipas raportit konsultativ që ende nuk është final, propozimi nga stafi i ZRRE-së është që rritja e nevojshme për reflektimin e kostos së sistemit të jetë rreth 14 për qind”.

Sipas tij, kërkesa e KEDS-it ka qenë për rritje 55 për qind.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovës kishte njoftuar se është duke shqyrtuar një kërkesë të jashtëzakonshme për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, të bërë nga Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike – KEDS, muajin e kaluar.

KEDS-i e ka justifikuar kërkesën për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

“Mosreflektimi i duhur rrezikon pozitën financiare të KEDS-it, e njëherësh rrezikon edhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, më 8 shkurt të këtij viti, ka miratuar tarifa të reja të rrymës – më të shtrenjta për disa – që do të vlejnë deri më 31 mars të vitit 2023.

Shtrenjtimi ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë. Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, nuk iu përgjigjën interesimit të Radios Evropa e Lirë për kapacitetet aktuale prodhuese.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button