Nga Kruja në Vlorë, nga Vlora në hashtag
Nga Flogert Muça
Në rrjete sociale është njoftuar një protestë kombëtare në 28 nëntor, me një emër që nuk lë vend për modesti: “Nëntori i tretë”. Më 28 nëntor 1443 Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë. Më 28 nëntor 1912 Ismail Qemali e ngriti në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë. Sheshi i sotëm kërkon të shkruajë vetë kapitullin e tretë të kësaj historie. Thirrjet kanë ardhur nga disa studentë, nga aktivistë dhe nga një pjesë e diasporës, ndërsa vetë Partia Demokratike, sipas njoftimeve të brendshme që kanë dalë në media, u ka kërkuar anëtarëve të saj të kontaktojnë drejtuesit e degëve “për organizimin”. Ambicia është e madhe, por pyetja është nëse ka edhe peshën për ta mbajtur këtë peshë.
Ta them që në fillim, që të mos keqkuptohem. Kjo protestë, kur ishte në kulmin e saj, dha një mesazh të madh politik. Mijëra qytetarë dolën paqësisht në shesh për të shprehur pakënaqësitë e tyre të çdo lloji, dhe sheshi u mbush si rrallë herë në vitet e fundit. Ishte një nga momentet më të ndershme të qytetarisë shqiptare, dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë.
Por 28 Nëntori nuk është një datë si të tjerat, dhe pikërisht për këtë duhet trajtuar me kujdes dhe ftohtë.
Së pari, historia nuk është trofe që varet në mur, është pishtar që kalon nga dora në dorë. Edhe Ismail Qemali e mori datën nga dikush tjetër, por ai nuk e zgjodhi 28 Nëntorin rastësisht, por për t’u lidhur me flamurin që Skënderbeu kishte ngritur në Krujë më shumë se katër shekuj më parë, sepse e dinte që një komb i ri ka nevojë për rrënjë të vjetra.
Vetëm se Ismail Qemali nuk e mori pishtarin për t’u fotografuar me të, por për të ndriçuar rrugën përpara. Nga Skënderbeu mori një flamur dhe brezave që erdhën pas u la një shtet, me një kuvend, me një deklaratë dhe me një qeveri. Kjo është arsyeja pse sot nuk e kujtojmë si dikë që u mbështet te lavdia e Skënderbeut, por si dikë që e çoi atë më tej. Dhe këtu qëndron dallimi mes trashëgimisë dhe përvetësimit.
Trashëgimtari merr pishtarin nga të parët dhe e çon më larg se ku e gjeti. Përvetësuesi e merr pishtarin vetëm për dritën që i hedh fytyrës së tij (në rrjetet sociale). Pyetja që duhet t’u bëhet atyre që sot pretendojnë “Nëntorin e tretë” është pikërisht kjo: ku do ta çoni këtë pishtar?
Sepse kur një lëvizje e merr datën, por nuk sjell asnjë kuvend, asnjë deklaratë, asnjë emër dhe asnjë program, ajo nuk po e vazhdon historinë. Po e mban pishtarin në vend, derisa t’i digjen duart.
Së dyti, nëse dikush mendon vërtet se vendi është i pushtuar, ashtu siç sugjeron retorika e “çlirimit” në disa thirrje, atëherë data e tij nuk është 28 Nëntori, por 29 Nëntori. Por edhe këtu historia është e pamëshirshme, sepse ata që çliruan vendin kishin një organizim, komandë, strukturë dhe njerëz që merrnin përgjegjësi me emër e mbiemër. Pra, asnjë nga Nëntorët e historisë sonë nuk i shkon një lëvizjeje që e ka bërë mungesën e drejtuesve parim themelor. “Ideja është të mos ketë lider”, deklaroi pak ditë më parë një nga studentët e lëvizjes. Por historia shqiptare nuk ka asnjë Nëntor që është bërë pa liderë, e as në rrjetet sociale për followersa.
Skënderbeu ishte lider, Ismail Qemali ishte lider. Nëntori i tretë do të ishte i pari në histori pa asnjë emër, dhe një pishtar pa dorë që ta mbajë nuk ndriçon asgjë, thjesht bie përtokë.
Së treti, dhe kjo është pika më e rëndë, 28 Nëntori i 1912-s nuk ishte një protestë, ishte një akt themelues. Në Vlorë nuk u mblodh një turmë që thërriste “ikni”, por një kuvend delegatësh nga të gjitha trevat, që u ulën me laps e letër, nënshkruan një deklaratë dhe pak ditë më pas krijuan një qeveri të përkohshme, me emra, me detyra dhe me përgjegjësi. Ismail Qemali nuk doli në ballkon të thoshte “mblidhuni”, doli të thoshte “ja kush jemi ne dhe ja çfarë do të bëjmë”. Nëse sheshi i sotëm do vërtet ta nderojë atë datë, rruga është e njëjtë: të dalë para shqiptarëve me subjektin e vet, me listën e vet dhe me emrat e vet, e t’u thotë si Ismail Qemali: “Këta jemi ne, ky është programi ynë, hajde, Edi Rama, hajde, Sali Berisha, të përballemi në kutinë e votimit.”
Përndryshe, thirrjet “mblidhuni” pa asnjë emër, pa asnjë program dhe pa asnjë përgjegjës, në një ditë simbolike, krijojnë pikërisht atë mjedis ku çdo lloj radikalizmi, çdo grup anonim dhe çdo ndërhyrje që nuk i shërben Shqipërisë mund të futet dhe ta shndërrojë festën në përplasje. Dhe atëherë 28 Nëntori nuk nderohet, por dëmtohet. Nuk ka fyerje më të madhe për Flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit se ta përdorësh si sfond për molotovë. Pishtari i historisë nuk u ndez për të djegur qytete, por për t’u treguar shqiptarëve rrugën.
Nga ana tjetër, ka edhe një detaj që meriton vëmendje për nga simbolika. Në rrjetet sociale janë shfaqur disa nga “drejtuesit digjitalë” të këtij sheshi, që flasin me patos për 28 Nëntorin, për Kuvendin e Vlorës dhe madje flisnin edhe për Kongresin e Manastirit e për alfabetin. Problemi është se po t’i lexosh postimet e tyre, kupton që alfabetin e Manastirit nuk e kanë mësuar ende plotësisht. Shkruajnë me gabime drejtshkrimore dhe për “historin” pa asnjë presje në vendin e duhur. Delegatët e Manastirit u mblodhën në 1908 që shqiptarët të kishin më në fund një mënyrë të përbashkët për të shkruar gjuhën e tyre. Ironia e fatit është se njëqind e tetëmbëdhjetë vjet më vonë, disa nga ata që flasin në emër të kombit e përdorin këtë alfabet si një sugjerim, jo si rregull. Edhe gjuha, në fund të fundit, është një pishtar i trashëguar nga të parët, dhe disa po e mbajnë me dorë që dridhet.
Uroj që kjo të mos jetë tragjedia e atij sheshi, sepse aty ka me bollëk njerëz të ditur, studentë të shkëlqyer, pedagogë dhe qytetarë të formuar, që e njohin historinë dhe e shkruajnë gjuhën më mirë se kushdo. Por pikërisht ata duhet të jenë zëri i protestës, jo ata që e kanë kthyer 28 Nëntorin në hashtag dhe gjuhën shqipe në viktimë kolaterale.
Si përfundim, 28 Nëntori nuk i përket asnjë qeverie dhe asnjë opozite, asnjë sheshi dhe asnjë partie. U përket të gjithë shqiptarëve. Skënderbeu ndezi pishtarin me një flamur, Ismail Qemali e mori nga dora e tij dhe e çoi deri te një shtet. Kjo është mënyra e vetme për ta nderuar këtë datë: ta marrësh pishtarin vetëm kur je gati ta çosh më tej. Për të ndërtuar një Nëntor të tretë nuk mjafton një thirrje në rrjete sociale. Duhet një Kuvend, një laps, një letër dhe dikush që ka guximin të nënshkruajë me emrin e vet. Deri atëherë, Nëntori i tretë mbetet vetëm një pishtar i ngritur për fotografi, në një ditë që meriton shumë më tepër.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.