☁️
Tiranë 12°C · Vranët 27 Nëntor 2026
S&P 500 7,183 ▼0.25%
DOW 50,183 ▲0.33%
NASDAQ 23,586 ▼0.62%
NAFTA 85.75 ▲2.47%
ARI 3,661 ▲2.7%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625 EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625
₿ CRYPTO
BTC $61,495 ▲ +0.77% ETH $1,732 ▲ +1.73% XRP $0.9607 ▲ +0.35% SOL $72.8900 ▲ +2.43%
S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 85.75 ▲2.47 % ARI 3,661 ▲2.7 % S&P 500 7,183 ▼0.25 % DOW 50,183 ▲0.33 % NASDAQ 23,586 ▼0.62 % NAFTA 85.75 ▲2.47 % ARI 3,661 ▲2.7 %
EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625 EUR/USD 1.0973 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9154 EUR/ALL 89.8437 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6570 EUR/TRY 55.6777 EUR/JPY 174.75 EUR/CAD 1.5625
27 Nën 2026
Breaking
Opinion

Kastrimi politik si model i biznesit politik: Simbioza mes monopolit të pushtetit dhe monopolit të opozitës

Kastrimi politik si model i biznesit politik: Simbioza mes monopolit të

Partia Demokratike dhe satelitët e saj po i akuzojnë protestuesit e pavarur herë si neomarksistë të Arlind Qorrit e herë si vegla të Sorosit. Të njëjtët protestues Partia Socialiste i etiketon prej muajsh si grekë, serbë, rusë, iranianë apo antifa.

Duket sikur dy partitë janë në konkurrencë për të sajuar teori komplotiste për të sulmuar dhe diskredituar protestuesit e rinj.

Është e qartë se dy partitë që qeverisin Shqipërinë prej 36 vjetësh e kanë të vështirë të pranojnë se mund të ketë jashtë tyre alternativa, organizime dhe vullnet politik.

Të dyja partitë kërkojnë të ruajnë monopolin e tyre politik. Edi Rama kërkon të ruajë monopolin e pushtetit, Sali Berisha duket i vendosur të ruajë monopolin e opozitës.

Këto prirje janë dëshmi e qasjes autokratike që trashëgoi kasta politike postkomuniste në Shqipëri.

Sikur të mos mjaftonte që Partia Demokratike, filizi i parë i pluralizmit në Shqipëri, të mbante pas 36 vitesh zgjedhje me një kandidat të vetëm për kryetar dhe një koreografi unanimiteti partiak që të kujtonte kohën e monizmit, tani ajo kërkon që mungesën e pluralizmit brenda saj ta shtrijë në mbarë hapësirën opozitare të vendit.

Kushdo që guxon të mendojë ndryshe nga PD-ja, kushdo që mban protestë jashtë gardhit të saj apo artikulon një alternativë të re opozitare, damkoset si patericë e Ramës, përçarës i opozitës ose mashë e ndonjë konspiracioni ndërkombëtar antifa-soroist.

Kjo është logjika dhe sjellja tipike e monopolistit. Çdo monopolist e ka luftën me konkurrencën çështje mbijetese, sepse tregu i lirë e detyron të ulë çmimet, të rrisë cilësinë dhe të respektojë e të kënaqë klientin. Por për sa kohë që konsumatori nuk ka zgjedhje tjetër, monopolisti mund t’i shesë me arrogancë të njëjtin mall të skaduar me çmim të lartë.

Me të njëjtën logjikë, përse duhet që PD-ja të rinovojë lidershipin, të demokratizojë vendimmarrjen, të afrojë njerëz me integritet e aftësi apo të zgjerojë bazën e saj elektorale, kur ajo mund t’i mbajë peng votat e shqiptarëve të pakënaqur me Ramën duke mbytur në embrion çdo alternativë tjetër politike?

Në fund të fundit, duhet më shumë energji e sakrificë për të rifituar besimin e qytetarëve sesa për të sulmuar dhe linçuar çdo alternativë tjetër që ata kanë për të zgjedhur!

Ky është një model i njohur politik që studiuesit Richard Katz dhe Peter Mair e kanë pagëzuar teoria e partive kartel. Në këtë model politik, partitë e konsoliduara të sistemit nuk sillen më si rivale, por bashkëpunojnë në mënyrë të heshtur për të ruajtur sistemin e pandryshuar dhe mbijetesën e ndërsjellë.

Në Shqipëri, pas fasadës së retorikës shurdhuese dhe përplasjeve teatrale në parlament, dy partitë e mëdha ndajnë dhe mbrojnë me xhelozi të njëjtat privilegje institucionale: financimin publik nga buxheti i shtetit, kontrollin bipartizan mbi administratën zgjedhore, hapësirën e garantuar mediatike dhe një kod zgjedhor të qepur për të ngritur barriera të pakapërcyeshme hyrjeje për aktorët e rinj.

Njësoj si kompanitë që janë pjesë e një karteli ekonomik, ato mund të grinden për ndarjen mes tyre të tregut, por janë bashkë sa herë që një konkurrent i ri kërcënon të prishë duopolin e tyre në treg.

Brenda këtij sistemi, të qenët në opozitë është kthyer në një profesion të rehatshëm dhe të sigurt për një pjesë të mirë të elitës opozitare. Mandate të sigurta parlamentare nga lista të mbyllura, protagonizëm i përditshëm në publik e televizione, rroga të majme dhe përfitime ekonomike nën rrogoz nga pushteti.

Kështu, opozita kthehet në një burim rente ekonomike e politike që garanton privilegje e mirëqenie pa kosto apo kontribut.

Ndër garantuesit kryesorë të rentës janë oligarkët. Sulmet agresive ndaj protestuesve nga PD-ja nxorën në pah kastrimin politik të saj përballë oligarkëve që përfitojnë dhe mbështesin me çdo mjet pushtetin e Ramës.

Ndërsa opozita sulmon përditë Ramën dhe ministrat e tij për korrupsion, biznesmenët që janë pala tjetër në korrupsion nuk përmenden thuajse asnjëherë. Me disa përjashtime selektive, opozita nuk flet për biznesmenët që pasurohen falë kontratave të majme publike, koncesioneve monopoliste, lejeve abuzive të ndërtimit, kontrabandës, evazionit fiskal apo pastrimit të parave.

Heshtja ngre një pyetje sa të pakëndshme, aq edhe jetike për demokracinë tonë: a mos vallë kastrimi politik i opozitës është rezultat i financimit të saj nga të njëjtët oligarkë dhe interesa ekonomike që mbajnë Ramën në pushtet? A mos ekzistojnë interesa ekonomike të ndërthurura që e bëjnë bashkëjetesën paqësore me pushtetin shumë më të leverdishme sesa përballjen reale dhe rrëzimin e tij?

Nëse përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve është “po”, atëherë është e qartë se një humbje tjetër zgjedhore është paradoksalisht më e pranueshme për elitën e mbyllur udhëheqëse të opozitës sesa përpjekja për një fitore që mund të vijë vetëm duke hapur sistemin dhe që, për rrjedhojë, do të cenonte monopolin opozitar të kësaj elite dhe, me gjasë, do të sillte zëvendësimin e saj me një elitë të re politike.

Edhe debati për kandidatin e përbashkët për Bashkinë e Tiranës duhet të shikohet në këtë prizëm. Një kandidaturë e përbashkët e mirëfilltë e gjithë opozitës mund të arrihej vetëm nëse kandidati do të vinte nga jashtë radhëve dhe kontrollit të PD-së. Por fitorja e tij do të sillte edhe krisjen, në mos rrëzimin, e monopolit opozitar të elitës drejtuese të PD-së.

E vërteta është se sot ka dhjetëra, në mos qindra mijëra shqiptarë që duan largimin e Ramës, por që janë njëkohësisht të zhgënjyer thellë nga Berisha. Ata nuk i kanë asnjë borxh politik apo moral Partisë Demokratike. Ata kanë çdo të drejtë kushtetuese dhe politike të fituar në dhjetor të vitit 1990 për të protestuar, për t’u organizuar dhe për të ofruar alternativa politike dhe kandidatët e tyre.

Ata kërkojnë zhdukjen e monopoleve politike, në pushtet dhe në opozitë. Hapja e hapësirës politike ndaj këtyre alternativave mund të rikthente interesin politik të qytetarëve që i kanë kthyer shpinën elitës së tanishme politike, një pjesë e të cilëve, prej zhgënjimit e mungesës së shpresës, e kanë braktisur vendin.

Asnjë ndryshim për mirë nuk do t’i vijë Shqipërisë për aq kohë sa ajo do të mbetet peng i një duopoli të kalbur, ku Partia Socialiste ka monopolin e parave dhe të pushtetit, ndërsa Partia Demokratike ruan monopolin e opozitës dhe të privilegjeve që siguron nga ky monopol.

Edi Rama mban çelësat e kasafortës së taksapaguesve, Sali Berisha çelësat e pakënaqësisë popullore dhe të dy së bashku sigurohen që askush tjetër të mos afrohet te dera.

Kështu, të dy ushqejnë legjitimitetin e njëri-tjetrit dhe vazhdojnë të dominojnë jetën publike, ndërkohë që vendi mbetet pa rotacion dhe pa ripërtëritje të elitës politike.

Pas më shumë se tri dekadash pluralizëm, do të ishte një regres demokratik që shqiptarëve, për të shpëtuar nga monopoli i Ramës, t’u kërkohej të pranonin monopolin e Berishës.

Qëllimi i rotacionit duhet të jetë ndryshimi i mënyrës se si ushtrohet pushteti në Shqipëri, jo thjesht ndryshimi i emrit të atij që e ushtron.

Shpërndaje te miqtë

Të sugjeruara

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.