Nga YouTube te TikTok, miratohet ligji që ndryshon rregullat për të drejtën e autorit! Ministri Gonxhja shpjegon ndryshimet
Kuvendi ka miratuar këtë të enjte ligjin e ri për të drejtën e autorit, i cili synon të forcojë mbrojtjen e krijuesve shqiptarë dhe të vendosë rregulla të reja për platformat online.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se, me ligjin e ri, platforma si YouTube, Facebook dhe TikTok do të duhet të marrin autorizim për përdorimin e veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të reagojnë në rastet e shkeljeve.
Një tjetër risi është detyrimi që platformat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, por nuk kanë seli në vend, të caktojnë një përfaqësues ligjor në Shqipëri. Sipas ministrit, kjo do t’u mundësojë autorëve shqiptarë të kërkojnë më lehtë mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ligji parashikon gjithashtu më shumë të drejta për autorët në marrëdhëniet kontraktuale. Ata do të kenë të drejtë të informohen për mënyrën se si përdoren veprat e tyre dhe për të ardhurat që ato gjenerojnë, si dhe të kërkojnë rishikimin e kontratave kur shpërblimi konsiderohet i padrejtë.
Ndryshime do të ketë edhe në tregun e administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, me synimin për të rritur konkurrencën dhe mundësitë e zgjedhjes për krijuesit.
Gonxhja njoftoi gjithashtu riorganizimin e strukturës përgjegjëse për të drejtën e autorit pranë Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ajo do të fuqizohet me një strukturë të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të autorit në fushën digjitale dhe me 11 punonjës shtesë.
Sipas ministrit, ligji i ri synon të përmirësojë mbrojtjen e krijuesve shqiptarë, të rrisë përgjegjësinë e platformave online dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me standardet europiane.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.