Nikoliç: Nëse njohim pavarësinë e Kosovës, në Serbi shpërthen lufta civile
Nëse Serbia do të duhej të njihte pavarësinë e Kosovës, atëhere në vendin tim do të shpërthente një luftë civile, deklaroi presidenti serb, Tomislav Nikoliç.
”Ndoshta një ditë në Serbi do të lindë një politikan në favor të pavarësisë së Kosovës dhe me këtë do të mund të fitonte edhe zgjedhjet, por sot, kjo gjë është e pamundur”, deklaroi Nikoliç, i cituar nga media në Beograd.
“Serbia kërkon të integrohet në BE, por nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, shtoi Nikoliç, i cili kritikoi projektin e Brukselit për Kapitullin 35 (mbi Kosovën), çka do të jetë i pari gjatë negociatave të anëtarësimit, por që për Beogradin do të ishte një kusht i papranueshëm për Serbinë për të njohur drejtpërdrejt apo indirekt pavarësinë e Prishtinës.
“Dua të jem i drejtpërdrejtë: kemi përballë diçka që i ngjan ultimatumit të dhënë Serbisë nga Perandoria Austro-hungareze me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore”, tha Nikoliç.
Historikisht, pas atentatit të Sarajevës, në qershor 1914, austro-hungarezët kërkuan që policia e tyre të hetonte në Serbi për motivin e atentatit.
”Në mënyrë të ngjashme, sot i kërkojnë Serbisë që t’i raportojë Prishtinës mbi aktivitetin e policisë dhe drejtësisë në Serbi”, thotë Nikoliç.
”Propozimet e fundit nga Brukseli janë të papranueshme për Serbinë dhe, për Beogradin, është e pamundur ecja drejt integrimit evropian në këto kushte. Nëse çmimi për këtë është njohja e pavarësisë së Kosovës, unë jam kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.
“Në kushtetutën tonë nuk parashikohet në asnjë mënyrë pavarësia e Kosovës”, deklaroi presidenti serb, Tomislav Nikoliç.