Nis sot Samiti i Vjenës, ja 4 fushat që Shqipëria do të kërkojë mbështetje
Liderët e Ballkanit Perëndimor takohen sot në Samitin e Vjenës, ku gjatë dy ditëve do t’i paraqesin përfaqësuesve të Bashkimit Evropian projekte konkrete për zhvillim e rajonit.
Në fokus të takimit janë një sërë çeshtjes si kriza e emigranteve, ndihma e BE-së për rajonin e Ballkanit në projekte të rëndësishme, demarkacionin në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa Shqipëria do të kërkojë mbështetje në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi dhe edukimi, si dhe në turizëm.
Një pikë e nxehtë do të jetë kriza e fundit e emigranteve që do të mbizotërojë bisedimet në Vjenë.
Në axhendën e Samitit parashtohet se në dy ditët e punimeve, liderët e Ballkanit do të kërkojnë ndihmën e BE-së për projekte konkrete në infrastrukture, ku projekti më i rëndësishëm është autostrada Nish-Prishtinë-Durrës.
Samiti starton sot në orën 13.00, dhe diskutimi mes ministrave të jashtëm fillon me “Mosmarrëveshjet dypalëshe në Ballkanin Perëndimor”. Ndërkohë që në mbrëmje do të luhet ndeshja mes dy ekipeve, që simbolikisht kanë marrë emrin Bashkimi Evropian dhe bashkimi i ardhshëm evropian, pjesë e të cilit do të jenë politikanet e rajonit.
Mëngjesin e 27 gushtit do të diskutohen projektet në infrastrukture si dhe çështje të tjera, ndërkohë që samiti do të mbyllë punimet me një konferencë të përbashkët për shtyp të kancelares Merkel, përfaqësues së lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç.
Ndërkohë, mësohet se në këtë samit, Shqipëria do të kërkojë mbështetje në katër fusha kryesore; në infrastrukturën rrugore, në projekte për procesin e infrastrukturës energjetike, kapitalet njerëzore, arsimimi dhe edukimi, si dhe në turizëm.
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati në prag të mbajtjes së këtij samiti ka pohuar se pritet që në Tiranë të jetë selia e Fondit të Ballkanit Perëndimor, ku do të synohet përfshija e gjithë vendeve të rajonit në këtë fond me qëllim dhënien e ndihmës në hartimin dhe në financimin e projekteve.
Në Samitin e Vjenës pritet të miratohet platforma për të inkurajuar dhe mbështetur mobilitetin e të rinjve, programet e shkëmbimit dhe të trajnimeve profesionale, duke përfshirë forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e kapaciteteve profesionale në fusha si siguria energjetike, transporti, infrastruktura dhe turizmi.
Ministri Bushati ka nënvizuar faktin se Shqipëria do të kërkojë një përqendrim të përpjekjeve të BE-së drejt një strategjie te re të ndërlidhjes energjetike të rajonit.
Axhenda e diskutimeve në Samitin e Vjenës sipas mediave:
– Më 26 gusht, rreth orës 13:00, parashikohet një panel diskutimi mes ministrave të Integrimit dhe atyre të Jashtëm me temë “Mosmarrëveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor”.
– Ky panel do të pasohet nga nënshkrimi i një marrëveshjeje me karakter kulturor mes Austrisë dhe Kosovës.
-Dita e parë e samitit do të mbyllet me një ndeshje futbolli mes dy ekipeve që do të quhen “E ardhmja e BE-së” dhe “Ekipi i BE-së”. Në fushën e blertë austriake ekipin e të “Ardhmes së BE-së” do ta përfaqësojnë kryeministri Edi Rama me dy ministrat e tij, Arban Ahmetaj dhe Ditmir Bushati, nga Bosnja ministri Crbadak, nga Kosova Hashim Thaçi, nga Maqedonia kryeministri Gruevski dhe nga Serbia kryeministri Vuçiq. Ndeshjen do ta arbitrojë komisioneri Hahn.
-Dita e dytë e Samitit do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Evropiane të Investimeve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.
-Më pas ministrat e Jashtëm të rajonit do të diskutojnë tre çështje: bashkëpunimin rajonal, emigracionin dhe dialogu fetar, përfshi anti-ektremizmin.
-Paralelisht me këtë takim do të zhvillohet edhe ai i ministrave të Ekonomisë, nën drejtimin e ministrit austriak të Ekonomisë, Mitterlehner.
-Në përfundim të Samitit, kancelari austriak Faymann, kancelaria gjermane Merkel, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri serb Aleksandër Vuçiç do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.