Politika

Nishani: Sarajeva dhe Tirana janë vetëm 380 km larg, ne njihemi shumë pak mes nesh

nNë përmbyllje të vizitës shtetërore që zhvilloi në Bosnje dhe Hercegovinë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dha një pritje në Sarajevë, në të cilën morën pjesë miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve si ish-presidentë, ministra, deputetë, diplomatë, drejtues të bashkësive

fetare, ushtarakë, intelektualë, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë Adriatik Llalla si dhe mjaft bashkatdhetarë që jetojnë e punojnë në kryeqytetin boshnjak.

Duke vënë në dukje kënaqësinë dhe privilegjin e pranisë së shumë miqve dhe dashamirësve në këtë pritje, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi se: “Vizita ime dhe e delegacionit të lartë nga Shqipëria në Bosnje
dhe Hercegovinë, është një shenjë e qartë e vullnetit tonë të padiskutueshëm për zhvillimin e marrëdhënieve sa më të mira mes të dy vendeve tona. Bashkëpunimi në rajonin tonë është imperativë kohe dhe i domosdoshëm për të gjithë popujt që jetojnë në ketë pjesë të Evropës. Rajoni ynë në përgjithësi, dhe sidomos vendi juaj i
mrekullueshëm Bosnje dhe Hercegovina si dhe Kosova, në fundshekullin që lamë pas, kanë  kaluar nëpër tmerre dhe stuhi të paimagjinueshme nga etja për dominim nga të tjerët si dhe nga intoleranca e paparë.”

nn“Askush më mirë se ju nuk mund ta dijë se çfarë do të thotë që njeriu të mos jetë i sigurt në fqinjët e tij të parë, në atë me të cilin ka kaluar fëmijërinë dhe rininë, në atë me të cilin kanë thurur edhe ëndrra për një jetë më të mirë, por të cilat u ndërprenë në mes nga luftërat dhe tmerri që ndodhi. Mjafton t’i hedhim një sy  ‘Memorialit’  për fëmijët e vrarë në Sarajevë, dhe çdo gjë bëhet edhe më e qartë se sa duhet të jemi të përgjegjshëm për fatet dhe të ardhmen e popujve dhe vendeve tona. Askush më mirë se sa ata që e kanë kaluar në kurrizin e tyre nuk mund ta dijë se çfarë do të thotë lufta dhe dhuna.” – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani vuri në dukje se: “Fryma e solidaritetit, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë  duhet të jetë rruga jonë e përbashkët, për të gjithë rajonin. Në këtë kuadër, shpresoj dhe besoj që edhe qytetarët e Bosnjës si dhe ata te Kosovës, do të kenë mundësi të udhëtojnë në vendet reciproke pa pengesa si fqinj të mirë dhe të qarkullojnë lirshëm mallrat dhe njerëzit në këto dy vende, por edhe të njihen dokumentacionet e lëshuara nga institucionet e të dyja shteteve. Rruga e vendeve tona është e qartë dhe e padiskutueshme drejt integrimeve Euro-Atlantike dhe Bashkimit Evropian. Integrimi i të gjithë rajonit tonë në Bashkimin Evropian dhe në NATO e bën Ballkanin me të sigurt, e bën Evropën me të qetë dhe më të integruar.”

nnnDuke iu drejtuar shqiptarëve të pranishëm, Kreu i Shtetit u shpreh se ndihej krenar për bashkëkombësit e Tij që kanë jetuar, jetojnë dhe punojnë në Bosnje dhe Hercegovinë. “Në Sarajevë, në këtë qytet të mrekullueshëm dhe me tradita kulturore kanë lindur personalitete të njohura shqiptare si: aktori me famë botërore Bekim Fehmiu si dhe aktorja jonë  e njohur Tinka Kurit. Në komunën hebreje të Sarajevës ka lindur përkthyesi dhe intelektuali ynë i shquar Robert Shvarc. Këtu ka shkruar At Gjergj Fishta një pjesë të kryeveprës së tij ‘Lahuta e Malësisë’. Në Bosnje dhe Hercegovinë gjen qytetarë me origjinë shqiptare, nga mësues ne klasë të parë deri në akademikë, rektorë e pronarë universiteti, aktorë e ushtarakë, gjen nga tregtari i vogël e deri te sipërmarrësit e mëdhenj. Shqiptarët i gjen në çdo cep të Bosnjë dhe Hercegovinës si qytetarë dinjitozë, punëtorë dhe krenarë me identitetin e tyre kombëtar shqiptar, por edhe me atë të qytetarit dinjitoz të vendit ku jetojnë, Bosnje dhe Hercegovinës. Në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje-Hercegovinës sot e kemi edhe shtatoren e Nënë Terezës, nënës tonë shqiptare, si simbol të paqes, humanizmit dhe dashurisë njerëzore. Gjatë ditëve më të vështira për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, shqiptarët që jetonin këtu, për asnjë çast të vetëm nuk e ndanë fatin e tyre nga fati i të gjithë qytetarëve të tjerë duke paguar atë edhe me jetën e tyre. Ne, shqiptarët, nuk kemi asnjë varr të vetëm në vendet fqinje – që të kemi shkuar për të pushtuar dikë, por kemi gjithandej varre ku kemi dhënë jetën duke mbrojtur me jetën tonë vendin ku kemi jetuar, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vendin dhe popullin ku kemi zhvilluar jetën tonë dhe familjet tona. Prandaj ndihem shumë herë krenar për shqiptarët e Bosnjë – Hercegovinës.”

Duke folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë ende të paeksplouara të bashkëpunimit ekonomik dhe në fushën e turizmit, Presidenti Nishani theksoi se: “Vitet e fundit, dy vendet tona kanë njohur një dinamikë të zhvillimeve pozitive në të gjitha fushat e jetës. Në rajonin tonë shumë paragjykime kanë ndodhur dhe  ndodhin nga mosnjohja nga afër mes popujve tanë. Edhe pse jetojmë shumë afër me njëri tjetrin, Sarajeva dhe Tirana janë vetëm 380 km larg, ne njihemi shumë pak mes nesh. Dinamika e fundit në zhvillimin e turizmit mes dy vendeve tona ka treguar se sa afër jemi dhe sa shumë të përbashkëta kemi. Ambasada jonë në Sarajevë gjatë funksionimit të saj këtu, Bashkësia shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë, por së fundi edhe Shoqata e Miqësisë boshnjako-hercegovinase–shqiptare, kanë dhënë një impuls të madh në zhvillimin e turizmit dhe të bashkëpunimit ekonomik si dhe të njohjes sa më të mirë mes nesh. Turizmi mes vendet tona nuk është konkurrues, por komplementar dhe kjo gjë krijon hapësira të pafundme bashkëpunimi. Turizmi ynë veror me një bregdet të mrekullueshëm në Adriatik dhe Jon, si dhe turizmi i juaj dimëror me pista olimpike për ski dhe resorte të mrekullueshme dimërore, janë  asete jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Të ndikojmë të gjithë së bashku që turizmi të njohë një zhvillim sa më të madh mes vendeve tona.”

Në mbyllje të fjalës së Tij, Presidenti u shpreh: “Këtu përveç bashkatdhetarëve të mi shqiptarë janë edhe shumë miq vendas, boshnjakë, kroatë, serbë, hebrenj dhe të komuniteteve të tjera, janë shumë biznesmenë vendorë që bashkëpunojnë me biznesmenët në Shqipëri. Ju ftoj të gjithëve së bashku që të kontribuojmë sa më shumë në zhvillimin ekonomik dhe të biznesit mes vendeve tona në veçanti, dhe rajonit në përgjithësi. Në Shqipëri dhe tek populli shqiptar në përgjithësi, do të gjeni një atmosferë miqësore dhe vëllazërore.”

Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani vizituan edhe lagjen e Bashçarshisë, ku u takuan dhe u përshëndetën përzemërsisht me bashkatdhetarë të shumtë që jetojnë dhe punojnë në Sarajevë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button