Një copëz nga parahistoria e reformës në drejtësi
Nga Fatos Baxhaku
Mund të jetë e natyrshme, mbase e do koha, mbase vetë qenia njerëzore është e tillë, që kur vjen puna për gjëra zulmëmëdha, sikurse janë reformat e fortshpallura, të gjithë të marrin iniciativën, kush e kush më i pari se është ai, apo ajo që po e hedh këtë hap të rëndësishëm në këtë vatanin tonë tashmë të lodhur nga protagonizmi. Shpesh harrojmë se edhe gjyshërit, a stërgjyshërit tanë, kanë pasur të njëjtën dëshirë të paepur ta shohin “Shqipërinë Zonjë”, puna është se përse nuk e arritën ata dhe përse, edhe pas shumë mundimeve, nuk po e arrijmë as ne.
Më poshtë do të lexoni një histori që ka ndodhur bash këtu e 90 vjet më parë në rrugët e Tiranës. Protagonistët e saj janë njerëz të Drejtësisë dhe të Rendit. Ka edhe ndonjë që ka bërë detyrën e spiunit, apo të qytetarit vigjilent, merreni si të doni.
Në maj të 1925, me rikthimin e Ahmet Zogut në krye të vendit, pas disa proceseve “ekzemplare”, nuk kishte më shumë vend për ata që flisnin ndryshe. Mund të mendoje ndryshe, puna ishte të mos llapje ca si shumë. Pikërisht këtë nuk e dinte Guro Duri, që ishte asokohe kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Nuk dihet nëse kishte marrë vendime të gabuara, kishte presione, apo thjesht ishte mërzitur nga jeta e vetmuar në Tiranë. Porse ai në një nga ditët, më saktë nga mbrëmjet e majit, pikërisht më 8 maj 1925, bëri një gabim fatal: I dha shumë gojës, madje ca si tepër.
Në dokumentet që ruhen ende në mënyrë fort të mirë, një shkresë urgjente e ministrit të Punëve të Brendshme, Ceno Beg Kryeziut i drejtohet më 12 maj 1925 ministrit të Drejtësisë me një alarmim të dukshëm. “Siç e çmon edhe ajo ministrie fort mirë dinjitetin qi duhet të kenë gjykatësit e republikës – shkruhet në këtë shkresë (kemi ruajtur gjuhën e kohës në origjinal) – të cilët janë të vetmit qi përbajnë shtyllën ma të fortë e të sigurtë ku mvaret e gjithë randësia e jetesës së Kombit, ju lutem t’Urdhënoni qi të merren masat ma të rrepta ligjore për kundra gjykatësit të nalt përmendun dhe të mos mbani më në shërbim të tillë gjykatës qi bjerrin prestigjin e dinjitetin qeveritar si ndaj popullit ashtu edhe ndaj të huajve”.
Në të njëjtën datë, ministri i ngratë i Drejtësisë, i afti ende pak i njohur, Petro Poga nga Erindi i Gjirokastrës, nuk ia bën fjalën dy ministrit të Brendshëm. E shkarkon menjëherë Duron madje cakton edhe policë që ta gjejnë e ta sjellin në zyrën e tij. Nuk ishte puna thjesht te gjykatësi. Puna dukej edhe më e rëndë sepse deri sa e vranë në Pragë, dy vjet më pas, Ceno Beg Kryeziu, kunati i Ahmet Zogut, vriste e priste në të katër anët. Ishte i pasur, i fortë dhe me miq matanë kufirit.
Po Duro çfarë kishte bërë xhanëm? Një denoncim i bërë në polici nga një dëshmitar i ngjarjes na bën që ta rijetojmë vetëm për pak çaste këtë skenë, që i kushtoi vendin e punës kryetarit të Gjykatës së Tiranës dhe mbase mund t’i kishte kushtuar edhe jetën, ashtu si shkonin punët asokohe.
E gjithë historia ngjason paska me një guidë mbi jetën e natës në kryeqytetin e porsaformuar. Një përkthyes, Luigj Filaj, sipas policisë, 32 vjeç, lindur në Prizren, por me banim në hotel “Korça”, shoqëronte një oficer anglez, instruktor xhandarmërie. Diku nga mesi i natës është shfaqur Duro Guri, “problematiku” dhe ka nisur të ulet tavolinë më tavolinë. Në mes të njerëzve të bezdisur ka qenë edhe një dentist. Në pije e sipër Durua duket të ketë thënë fjalinë e rëndë: “Unë të q… ty, edhe Ceno Begun…”. Përmendja e emrit të ministrit në këtë mënyrë, i ka alarmuar njerëzit që nuk ishin në nivele të larta alkooli. Madje, sipas procesverbalit të policisë duket se njerëzit i janë përgjëruar që të mos e shajë më ministrin sepse “ata për të japin edhe jetën”, por Duro me sa duket atë natë e kishte ndarë mendjen. Pastaj njerëzit, e alarmuar e kanë lënë ca kohë vetëm Duron në hotel “Frashëri” duke menduar se ia hodhën paq. Por, jo! Me të lënë anglezin në hotel “Kontinental”, Luigjit vigjilent i ka dalë sërish përpara Duro që shante lart e poshtë. Madje ca më tej Duro ka dashur të hyjë në një hotel tjetër ku kishte muzikë live, por në hotel “Saraçi” nuk e kanë qasur. Kjo ka bërë që kryetari i gjykatës të egërsohet edhe më tej. “Që kur iku Ahmet Zogu vjet në Jugosllavi, ky vend nuk është më i pari, prandaj ia q… edhe atij!!!”, thuhet të ketë bërtitur Duro në Tiranën e qetë e të vogël të asaj kohe. Luigji dhe dëshmitarët e tjerë te të sharat për Ceno Begun duruan, të duronin edhe në rastin e Zogut, kjo do të ishte ca si tepër! Kështu që kapin policin më të parë që hasin në rrugë, duke iu ankuar për të sharat e rënda të Kryetarit të Gjykatës. Polici ngre supet: Akoma nuk ka bërë ndonjë akt dhune. Një ditë më vonë në polici ai do të dëshmonte se e njihte krejt ngjarjen, porse nuk mund të ndërhynte sa kohë që zoti Duro nuk kishte dhunuar njeri. Në procesverbal, polici Hysen cilësohet më shpesh si “polici me mustaqe të verdha”.
Katër ditë më vonë, ministri i Drejtësisë Petro Poga, me kërkesë të ministrit të Brendshëm, Ceno Beg Kryeziu, e shkarkon nga puna Guro Durin, kryetarin e Gjykatës së Tiranës. Gjurmët e tij humbin diku “nga fabrika e Hobdarit”, deri atje ku e kishte shoqëruar “polici me mustaqe të verdha atë natë të 8 majit 1925. Për të, ne nuk dimë më asgjë, sikurse nuk dimë as për policin Hysen me mustaqe të verdha dhe as për të zellshmin Luigj Filaj.
Petro Poga, njeriu i ligjeve, vdiq në qetësi në fshatin e tij në Erind të Lunxhërisë. Ceno Beg Kryeziu u vra në një atentat kur ishte ambasador në Pragë më 1927 nga një student elbasanas. Teoria më e përhapur është se vetë Ahmet Zogu, kunati i tij kishte gisht në këtë komplot, por kjo nuk u provua asnjëherë dhe shumë hipoteza të tjera kanë nisur të ngrenë krye falë hapjes së arkivave. Ndërkohë, etja për një Drejtësi të pastër, të ndershme, të edukuar, të paanshme ende vazhdon të jetë një ndër objektivat tona kryesore, njësoj sikurse afër një shekull më parë.