Një film për tragjedinë shqiptare të “Kromit” në Çeki
“Krom”, filmi i Bujar Alimanit, premierë ndërkombëtare në “Karlovy Vary Film Festival”
Ajo është një nënë memece e pafat në dashuri. Pas vdekjes së bashkëshortit të parë, ajo martohet sërish dhe sërish përballet me një tjetër humbje. E pafuqishme përballë fatit, asaj i duhet të përballojë e vetme jetën, bashkë me fëmijët. Djali i saj pesëmbëdhjetë vjeç përpiqet të njohë vetveten, në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Një mashkull që hyn mes djalit e nënës, sepse nuk ka asnjë tjetër veç saj dhe një mësuese rock për t’ju gjendur djalit si një engjëll në rrugën e tij…Kjo është historia e filmit “Krom”, me regji të Bujar Alimanit, e cila do të ketë premierën botërore më 8 korrik në “Karlovy Vary Film Festival” në Çeki. Me skenar dhe regji të Alimanit, filmi është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, prodhuar nga shtëpia filmike “90 Production” në bashkëpunim me “Gegnia Film Fantasia Audio-Visual Elsani Film”.Filmi garon në kategorinë East of the West. Në role kryesore interpretojnë aktorët Bledar dhe Mirela Naska, Fredjon Ruçi, Kasem Hoxha, Denis Shira, Albulena Kryeziu, Elton Deda, Suela Bako si dhe Erjona Kaja. Historia e këtij filmi është frymëzuar nga miniera e kromit në Bulqizë, e cila ka rrezikuar jetën e dhjetëra minatorëve vitet e fundit, duke u kthyer në tragjedi për familjarët që kanë humbur njerëzit e tyre. Por regjisori duket se ka dhe një përjetim personal në këtë film, që e çon pas në kohë. “Gjashtë muaj pasi kisha shkruar versionin fillestar të skenarit, kuptova që dy personazhet kryesorë merrnin jetë nga dy vëllezër që njihja kur isha fëmijë. Tani më kujtohet që vëllezërit rrinin gjithmonë të veçuar e ishin të mbyllur në vetvete. Gjithë lagjja, përfshi mua talleshim me gjysmëvëllezërit, sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm. Ndoshta ‘Krom’ ishte një formë ndjese që kam dashur t’ju kërkoj gjithmonë atyre fëmijëve”, tha Alimani. Sipas producentes Tefta Bejko, “Krom” është një film ndryshe nga prodhimet e tjera të regjisorit. “Kam prodhuar të gjithë filmat e Bujar Alimanit dhe mendoj se ky film i lë pas të gjithë. Aty Bujari ka shkuar më larg, është përballur me veten, ka lënë frymëzimin ta mundë egon, duke krijuar kështu diçka të vërtetë dhe të përbotshme”, thotë Bejko. Filmi trajton dhe këndin psikologjik të një adoleshenti, mënyrën sesi dy femra siç janë nëna dhe mësuesja ndikojnë në formimin e tij. “Ideja e influencës së dy natyrave femërore mbi një adoleshent në rritje e sipër më ka interesuar gjithnjë, madje më saktë influenca e Nënës dhe Mësueses, e Jetës dhe Dijes, e së Përjetshmes dhe Aventurës, që në thelb nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë pushtetesh që shqetësojnë shpirtin e brishtë e të dyzuar të pesëmbëdhjetëvjeçarit”, thotë Alimani. Ky është filmi i dytë me metrazh të gjatë i regjisorit Alimani pas filmit “Amnistia” që pati premierën në Berlinale, më 2011, dhe u prit mirë nga kritika. “Nëpërmjet imazheve marramendëse, ‘Amnistia’ na tregon jetën e protagonistëve në Shqipërinë e sotme, ku mbizotëron papunësia, vështirësitë ekonomike dhe rendi patriarkal. Regjisori jo vetëm rikrijon panoramën e shoqërisë shqiptare, por na tregon një histori dashurie me elemente tragjike”, do të shkruante Anna Hoffman. Ndërsa Sgerif Awad do ta klasifikonte filmin si një ndër më të preferuarit e festivaleve në të gjithë Europën.