Rajoni

Një gazetar turk tregon 40 ditët e ferrit mes xhihadistëve

Një vit më parë, gazetari turk Bunyamin Aygun mendoi se jetës së tij i erdhi fundi, kur u mor peng nga grupi xhihadist i Shtetit Islamik (ISIS), duke qënë se këta të fundit lajmëruan ekzekutimin e tij.

zz417Por, tani gazetari turk është lënë i lirë si pasojë e një mrekullie dhe rrëfen eksperiencën e tij të hidhur.

Ai për këtë çështje ka botuar dhe një libër me titullin “Dyzet ditë në duart e xhihadistëve”, ku përshkruan qartazi jetën e tij të përditshme si i burgosur, marrëdhënien e tij me rrëmbyesit, ndërkohë që një vëmëndje të veçantë në libër ai i kushton presionit të paparë psikologjik që grupi i Shtetit Islamik u bënte luftëtarëve të tyre për t’i pasur ata nën kontroll.

” Nëse nuk do ta kisha shkruar këtë libër, do të ndihesha si një tradhëtar ndaj kolegëve të mi”, bën me dije gazetari Aygun në një interviste për shtyp, nga selia e gazetës ”Milliyet” për të cilën ai punon duke iu referuar gazetarëve të tjerë të marrë peng nga xhihadistët, të cilët më pas janë ekzekutuar.

”Këto 40 ditë më janë dukur si 40 vjet”, shtoi ai.

Ai ka marrë disa çmime për shkak se ishte gazetari i parë që kaloi kufirin sirian dhe arriti të raportojë luftën civile që po shkatërron këtë vend që prej katër vitesh.

Më 25 nëntor të vitit 2013, misioni i tij u shndërrua në një mankth të vërtetë.

Sikur të mos mjaftonin vështirësitë që ai kaloi së bashku me shefin e Ushtrisë së Lirë siriane për t’iu bashkuar një njësie rebele në qytetin e Salkinit, makina me të cilën ata po udhëtonin u ndalua nga tetë luftëtarë xhihadistë.

Emri i tij dukej si emër hebre dhe prandaj rrëmbyesit patën dyshime prandaj e akuzuan si një spiun me pagesë.

”Ne nuk arritëm të shihnim asgjë, ishim me sy të lidhur, por më kujtohet që ata na bënin vazhdimisht pyetje, nëse pinim apo jo alkol, për kë punonim, kërkonin emra, ne madje u detyruam të faleshim edhe pesë herë në ditë, gjë të cilën nuk e di si arritëm ta bënim”, shtoi gazetari turk.

Bunyamin Aygun tregon se ritualin e faljes e mësoi shumë shpejt nga shoku i tij i qelisë.

”Ata që nuk faleshin, torturoheshin”, theksoi ai.

– Të presësh nga momenti në moment mënyrën sesi do të ekzekutohesh, kjo ishte tortura më e tmerrshme –

Një ditë, një nga rojet e qelisë të cilin gazetari e kishte simpatizuar, i cili kishte nofkën ” Dayi” (xhaxhai) e njoftoi se ai ishte i dënuar me vdekje.

“Ngrihu, falu për veten dhe pendohu për të gjitha mëkatet që ke bërë, nesër ti do të ekzekutohesh”, më tha ai.

”M’u errësuan sytë, filloi të më shfaqej gjithe jeta para syve, sa herë mbyllja sytë imagjinoja vdekjen, isha duke pritur vdekjen time kjo ishte tortura më e keqe”, kujton ai duke iu dridhur zëri.

Ai mendonte se më mirë për të do të ishte të vdiste nga një plumb, sesa nga një prerje e kokës me shpatë.

Priti për tre ditë me rradhë, por asgjë.

Derisa një tjetër roje i qelisë i kishte treguar trupin e vdekur të “Dayi-së” që kishte vdekur në detyrë, duke i thënë se dhe ai të njëjtin fat do të kishte.

Por, gazetari turk mbeti dhe disa ditë të tjera vetëm në qeli, aq sa po habitej dhe po mendonte nëse ata do ta linin të vdiste urie apo do ta ekzekutonin ashtu siç e kishin paralajmëruar.

Pas 40 ditëve burg, ai u lirua më në fund nga një grup rival i xhihadistëve.

Ai më vonë arriti të mësojë se grupi i Shtetit Islamik ishte tërhequr nga qyteti në të cilin ai mbahej peng dhe se ishin shërbimet sekrete turke që kishin negociuar me rrëmbyesit për lirimin e tij.

Dhe pse tani ka kaluar një vit që prej kësaj ngjarjeje, ai arrin të kujtojë si sot ato ditë robërie.

Por, ai shpreson se një ditë do të rikthehet sërish në Siri për të çuar deri në fund detyrën e tij si gazetar.

“Gjërat që përjetova më kanë prekur shumë thellë, por ato s’janë asgjë krahasuar me ekzekutimin brutal të shumë njerëzve deri më tani”, theksoi reporteri turk.

Ai kujton këtu ekzekutimin e dy kolegëve të tij amerikan, James Foley dhe Steve Sotloff apo shumë pengjeve të tjerë anonimë që janë vrarë brutalisht.

“Shkrimi i këtij libri ishte shumë i dhimbshëm për mua, më bëri të rikujtoja edhe një herë tjetër ato momente, por dhe ndjeva një lehtësim të madh”, pohon Bunyamin Aygun

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button