Opinion

Një i korruptuar dhe vrasës deputet dhe kandidat për kryeministër

Çudira shqiptare

Nga PETRO DHIMITRI

Në të gjithë botën demokratike biografia e kandidatit për  Kryeministër ose dhe President shqyrtohet deri në imtësitë më të vogla. Thuhen të vërteta si edhe të pavërteta, sidomos nga partitë kundërshtare. Populli gjithashtu nuk mbetet spektator. Në emisione pambarim të medias njerëzit shprehin mendimet e tyre. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur për ndonjë tradhti bashkëshortore ose qoftë edhe ndonjë plagjiaturë, pa cituar autorët, kandidatët janë tërhequr nga gara. Po në Shqipëri ç’po ndodh?

Doemos është e pazakontë për botën demokratike që një njeri i akuzuar për korrupsion edhe nga SHBA-të e Britania, një njeri që është në proces gjyqësor për korrupsion  dhe ka dosje për vrasje ( 21 janari dhe seriali i djemve të Tropojës) si  Sali Ram Berisha të vazhdojë të jetë kryetar partie, të jetë në listën e sigurtë si deputet dhe të jetë kandidati i vetëm i opozitës për t’u bërë sërish Kryeministër?! Kjo ndodh vetëm në Shqipërinë tonë hallemadhe. Pse?
Nuk është vështirë për t’iu përgjigjur kësaj PSE-je. Kjo ndodh se DREJTËSIA në Shqipëri është pjesë e korrupsionit. Po, po. Nuk e luan as topi.
 Kur Berisha THEU EMBARGON ndërkombëtare duke i çuar naftë Milosheviçit, PROKURORIA dhe instancat eprore të DREJTËSISË i mbyllën sytë.
 Kur BEKOI firmat piramidale dhe u orvat të niste luftën MIDIS Veriut dhe Jugut të Shqipërisë, sërish DREJTËSIA  mbylli sy dhe veshë sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
Kur në 21 janar u vranë 4 protestues paqësorë, kur demonstrata thuajse ishte fashitur, drejtësia që komandohej nga Berisha nuk heshti. Ajo i prishi dhe deformoi provat. Pse? Sepse nuk kishim DREJTËSI. E komandonte  doktor Saliu. Edhe kur fitoi Rama që premtoi të zbardhte të vërtetën për atë vrasje shtetërore ( Kështu e quan drejtësia e Evropës) ai nuk bëri asgjë. Siç duket, harroi çfarë kishte premtuar?!
Kur ndodhi GËRDECI me 26 të vrarë, mbi 250 të plagosur dhe shumë shtëpi të shkatërruara, DREJTËSIA nuk pipëtiu se  punishtja primitive vrasëse ishte e familjes së tij.
Kur SHBA-të dhe Britania e shpallën NON GRATA sërish heshtje. Del që ishte punë e amerikanëve dhe anglezëve. Ne nuk kishim të bënim me atë vendim?!Shumëkush bën dallimin midis Drejtësisë  kur e komandonte Berisha, pastaj Rama, me Drejtësinë e re me emrin SPAK. Numërojnë sukseset e SPAK-ut, që janë të padiskutueshme. Për herë të parë në  historinë e shtetit shqiptar, u bënë objekt i drejtësisë ministra, një zëvendës kryeministër. Shigjeta u ngrit deri te dy ish Presidentë dhe ish Kryeministra: Berisha dhe Meta.
Po rrëzohej mendimi i ambasadores Juri Kim e cila tha se prokurorët e SPAK-ut janë të trembur ose të korruptuar. Ja pra, erdhi dita për të dhënë llogari. Po përse është akuzuar Berisha? Për korrupsion pasiv në privatizimin e Kompleksit Sportiv ”Partizani”?! Një akuzë minore për krimet e tij, po le ta pranojmë. Thonë se hetimi është përfunduar disa muaj më parë, megjithatë Gjykata e ka qepur ”gojën”. Ndoshta kanë për të kaluar vite, që ajo të denjojë të nisë seancën e parë?! Pse? Ma thotë mendja se janë të korruptuar. Frikë nuk ka pse të kenë ,se i akuzuari nuk është në pushtet, ama paratë del se shqiptarët i lakmojnë si shumë. Mbase juristët tanë presin  ta gjykojnë Berishën,  si thonë latinët, vetëm POST MORTUM?!
Çfarë dëmi të madh i ka bërë dhe po i bën drejtësia popullit shqiptar me këto zvarritje pa fund? Po u jep mundësi politikanëve të korruptuar të qëndrojnë ende në majë të piramidës. Ata vjedhin, vrasin, gënjejnë dhe po ata përsëri deputetë, ndoshta dhe kryeministra deri sa prokurorët dhe gjyqtarët bëjnë sehir dosjet e krimeve të tyre, disa prej të cilave janë si shumë të majme me Euro apo dollarë. Nga që paraja qenka e aftë t’ua pastrojë biografinë ata duan të jenë përsëri njësha. Nuk ka ndodhur në historinë e Shqipërisë që për një ish President dhe ish Kryeministër një ”pasunor” tropojan shqiptaro-amerikan të paguajë 6 milionë dollarë për t’ia hequr nga biografia krimet për të cilat është shpallur i padëshiruar. Nga dalin ato para?! Nuk ka ndodhur asnjëherë që një jurist i huaj të vijë në Shqipëri dhe të drejtojë fushatën e një lideri. Pse?  Kërkohen shuma marramendëse dollarësh. Berisha ato i paska me shumicë. Si ka mundur t’i fitojë? Sërish heshtje prej varri nga SPAK-u?! Sërish njerëzit e ndershëm miratojnë vendimin Amerikan-Anglez që e kanë shpallur NON GRATA. Këtë e vërtetojnë eurot dhe dollarët e derdhur lumë për të pastruar figurën e tij. Amerikanët, po të lajthisin, edhe mund t’ia heqin atë nofkë poshtëruese për një politikan. Populli kurrë. Vetë paratë që ajo familje posedon janë dëshmia më efikase e korrupsionit të doktor Berishës dhe familjes së tij.
 Pse SPAK dhe DREJTËSIA e RE, për rastin Berisha, deri diku dhe Meta, po ecin me hapin e Breshkës? Ai, Meta, Mediu dhe jo pak puthadorë të tyre, kanë zaptuar mediat dhe portalet, kur me kohë ata duhet të ishin gjykuar. Të merrnin pafajësi dhe të shpërbleheshin deri në një për dëmin që u është shkaktuar nga akuzat e rreme ose të dënoheshin rëndë për shkelje të besimit të popullit, po qe se vërtetë kanë abuzuar.
    Dhe e fundit. Është një KQZ që  ka për detyrë të shqyrtojë pastërtinë e të gjithë kandidatëve për deputetë. Si u qenkan verbuar sytë anëtarve jo të paktë të saj kur kanë pranuar që në listat për deputetë të përfshihen edhe njerëz të arrestuar nga SPAK ose me dosje me akuza të rënda?! Si e kanë motivuar pastërtinë e figurave që ndodhen pas hekurave?! Mos vallë edhe në atë institucion paraja ose fetishizimi i lidërve kanë bërë punën e vet?!
     Zgjedhjet e 11 majit 2025  me çiftin Berisha-Meta, me akuza për korrupsion (Meta është pas hekurave) që janë përfshirë, i pari në listën e mbyllur dhe tjetri në listën e hapur , ka për t’u regjistruar në histori si një turp,  si një fyerje  e rëndë që i bëhet popullit të ndershëm shqiptar.  Historia ka për ta kritikuar rëndë DREJTËSINË E RE. Me zvarritjet e pajustifikuara të proceseve për dy ish Presidentë dhe dy ish Kryeministra ajo po diskrediton keqas veten para popullit që shpreson Po kalojnë muajt shpejt e ndoshta po bëhet viti që kur Gjykata e të Drejtave të Njeriut e Strasburgut e ka quajtur 21 Janarin Vrasje shtetërore dhe Berishës nuk po i hyn gjemb në këmbë. Pse? Mbase mendojnë se vendimi i juristëve elitarë të Evropës nuk është bindës?!
Edhe procesi i Gërdecit është kthyer në skeç estrade. I akuzuari Fartmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes, që ka pranuar se akuzohet vetëm për shpërdorim detyre, vazhdon ecejaket Tiranë-Washington si misionar i Berishës. Nuk e di se sa vite do të duhen që fajtorët e asaj tragjedie të marrin ndëshkimin e duhur?
 Kjo mefshtësi ose ,thënë ndryshe, ky gjumë letargjik i  SPAK-ut, u ka bërë peshqesh demokratëve të ndershëm dhe Shqipërisë, Sali Berishën si kryetar të PD-së. Më keq akoma. Si deputet (me që është në listën e sigurtë) dhe si kandidat për Kryeministër, po fitoi zgjedhjet më 11 maj. Një Kryeministër që nga populli akuzohet sa ka urdhëruar të qëllohet mbi demonstruesit paqësorë. Mund të jetë dhe i pafajshëm. Ama pafajësinë ka të drejtë t’ia japë Gjykata që  vazhdon të mbyllë sy dhe veshë. Pse? Mos vallë paratë , siç po del nga pagesat e majmë të avokatëve të Anglisë dhe Washingtonit, kjo familje nuk i ka të pakta, do të kenë bërë punën e vet edhe te SPAK-u ynë shpëtimtar?!
   Për këto të gjitha që i përkasin Berishës ky njeri  nuk duhet të jetë deputet. Mos e thëntë i madhi Zot që në 12 janar të jetë sërish Kryeministër!
   Lind pyetja se pse ky njeri me biografi të pasur krimesh ka ende kaq shumë pasues midis demokratëve? Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur përfitime gjatë 8 vjetëve qeverisje të PD-së. Pjesa tjetër janë idhtarë të ndershëm të PD-së, që e kanë fetishizuar atë si njeri. Jo të pakët janë edhe ata që mendojnë se akuzat kundër Berishës i kanë orkestruar Rama me shokë. Po të ishin të vërteta Gjykata kishte për të vepruar me kohë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button