“Një komb, një ABC”, ekspozita e Arkivit të Shtetit mbi historinë e alfabetit shqip
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit prezantoi ekspozitën dokumentare dhe fotografike “Një komb, një ABC”.
Ekspozita vjen në prag të Ditës së Alfabetit. Dokumentet e vendimeve të marra nga Komisioni për Çështjen e Alfabetit, fotot e delegatëve në Kongresin e Manastirit, si edhe kujtimet e pjesëmarrëses së vetme grua, Parashqevi Qiriazit, u ekspozuan pranë instalacionit “Tirana Moons”, në kryeqytet.
Aktiviteti u mundësoi të pranishmëve njohjen me gjurmët historike të ruajtura në arkiva, të cilat ilustrojnë përpjekjet për njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Mes dokumenteve të ekspozuara bënin pjesë procesverbale të mbledhjes V dhe VI të Komisionit për Çështjen e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe të miratuara nga Komisia Letrare dhe të tjera materiale të Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), që nxjerrin në pah këtë faqe të historisë së kombit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave tha se, në këtë nëntor festash, në Muzeun Arkivor do të ketë një ekspozitë të përbashkët mbi Kongresin e Manastirit (1908) dhe shpalljen e Pavarësisë, e cila dëshmon mbi vendimet e Komisionit të Alfabetit, si edhe 28 nëntorin 1912 në Vlorë dhe në mbarë Shqipërinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.