Kosova

Një mal problemesh në Shërbimin Korrektues të Kosovës

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, përmes një letre drejtuar drejtorisë qendrore ka paraqitur problemet dhe shqetësimet e tyre që i ka shërbimi korrektues.

Sadikaj i ka paraqitur këto probleme të cilat, sipas tij, janë shumë shqetësuese.

Ai thotë se ka punëtorë që punojnë mbi shtatë vite si ushtrues detyre dhe nuk paguhen.

“Problem shumë i madh sipas nesh i ka mbi shtatë vite që punojnë punëtorë si ushtrues detyre dhe nuk paguhen. Kjo është edhe e jashtëligjshme. Pika dy, sistematizimi i vendeve të punës që është fol se do të bëhet shumë vite më herët, por ende nuk është kryer, që kjo është shumë që po i hyjnë në hak punëtorëve. Në pikën tre jam munduar t’i paraqes disa probleme rreth rrezikshmërisë mbi stafin civil, të cilët nuk po paguhen ashtu siç ju kanë premtuar dhe ashtu siç e meritojnë se ata punojnë direkt me të dënuarit. Nën pikën katër kam paraqitur se stafi civil e kanë bërë një transferim në staf mbështetës dhe askush nga ministria nuk është në gjendje të shpjegojë qartë dhe mirë të drejtat dhe obligimet që dalin për ta. Këtyre iu kanë zvogëluar pushimin vjetor, kurse si benificion nuk kanë përfituar asgjë”, tha ai.

E si problem Sadikaj e ka paraqitur edhe vdekjen e një personi në vendin e tij të punës, e që më pastaj nuk është zbatuar ligji për dhënien e pagës për gjashtë muaj familjes së të ndierit. Për më tepër ai thotë se ky nuk është rasti i vetëm.

Kurse, anulimin e konkursit për zyrtarë korrektues ai e quan si maltretim për personat që kanë aplikuar, duke theksuar se nuk iu është sqaruar se pse është anuluar konkursi.

“Ne si sindikatë e kemi lypur një sqarim, i ka maltretuar njerëzit pas pesë gjashtë muajsh ka dështuar dhe kurrgjë askujt”, tha ai.

Po ashtu, kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues,  tha se një dukuri e kohëve të fundit është emërimi i mbikëqyrësve të lartë pa konkurse.

“Kohëve të fundit është si dukuri që po emërohen mbikëqyrës ose mbikëqyrës të lartë pa konkurse, pa kritere, dhe emërohet si ushtrues detyre dhe menjëherë fillon pagesa, kurse për ata që thash më herët që shtatë tetë vite punojnë për ta nuk ka pare. Jo vetëm në Dubravë edhe në burgje të tjera, kemi informacione që edhe në burgje të tjera, si ushtrues detyre dhe menjëherë me pagesë, jo vetëm në burgun e Dubravës”, tha ai.

Përveç këtyre problemeve, sipas Sadikaj edhe uniforma që iu takon për çdo vit është dhënë e cunguar, ku uniforma jepet në mungesë.

Po ashtu, Sadikaj thekson se edhe kushtet higjienike nuk janë në nivel.

“Kushtet higjienike nuk janë në nivel, ende në drejtorinë në burgun e Dubravës enët pastrohen me dorë, do të thotë nuk ka makinë larëse. Makinë larëse ka për kuzhinën numër një edhe ajo ka ndodh që me tre muaj ka qenë jashtë qarkullimit”, tha ai.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga Drejtoria Qendrore lidhur me këto probleme, por që zyra për media e këtij institucioni ka kthyer përgjigje se Sokol Zogaj – Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, është në pushim dhe se ai është kompetent për intervistë dhe përgjigje në pyetjet e  drejtuara.

Gjithashtu, gjatë javës KosovaPress ka provuar të kontaktoj përmes telefonit me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button