Maqedonia

Një prokurore “avullon” dy ministra

Në Shqipëri situata të ngjashme janë përjetuar vetëm në vitin 1997.

Ndërsa në kohë “normale”, në Maqedoni ish-ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska, e cilësuar si dorë e fortë dhe jo thjeshtë krah i ish kryeministrit Gruevski, por edhe pol pushteti më vete, thuhet se është arratisur drejt Bullgarisë pas një akuze të prokurorisë speciale lidhur me falsifikimin e zgjedhjeve.

Në fakt, Jankulovska ka qëndruar në këtë post për disa vite dhe thuhet se është pjesë e shumë skenarëve edhe me vrasje si rasti “Monstra”. Por ndërsa këto akuza janë “të fjetura” ende, një operacion i koduar “Titaniku” i Prokurorisë së Maqedonisë ka vënë nën akuza shumë ish-zyrtarë të lartë. Nën akuzë është edhe ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski që flitet se ka shkuar në Greqi.

Prokuroria Speciale thotë se në çështjen “Titaniku”, dyshohet se janë përfshirë zyrtarë të lartë dhe bashkëpunëtorë të ish-kryeministrit Gruevski.

Po çfarë është prokuroria speciale?

Janeva

Kjo njësi e re e hetimit special, që është shndërruar në një metodë të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta, frytet e para të punës së saj i ka dhënë në Kroaci, siç dihet, me rastin e kryeministrit Ivo Sanader. Në Maqedoni Prokuroria Speciale e drejtuar nga Katica Janeva, e nisi punën fundvitin e kaluar me dy raste mbi Gruevskin dhe ministrat e tij. Por Janeva nuk e ka patur të lehtë. Në fillim u nxorrën probleme me zyrat dhe selinë e prokurorisë speciale, pastaj me stafin dhe fondet. Deri aty sa intervistat e para për mediat ajo i jepte në një hotel atypari.

Në 26 nëntor 2015 kjo prokurori deklaroi se hetimi i saj ‘inaugural’ do bëhej mbi akuzat se ish shefi i shërbimeve sekrete të vendit, Saso Mijalkov, kushëriri i parë i kryeministrit (?!), kishte marrë rryshfet për të lehtësuar tenderin e pajisjeve përgjuese për një kompani izraelite.

Hetimi i dytë, kishte të bënte me falsifikimin e disa dokumenteve personale dhe shkeljen e të drejtave elektorale të zgjedhësve, kun ë vijë të parë të shënjestrës ishin kryeministri Gruevski, ministrja e tij e Brendshme Jankulovska dhe ish ministri i Transportit dhe Komunikacionit, Mile Janakievski.

Puna e zonjës Janeva kish filluar pikërisht nëntorin e kaluar, me hetimin e skandalit të përgjimeve ku partia në pushtet VMRO DPMNE akuzohej se kishte përgjuar mbi 20 mijë qytetarë. Një seri përgjimesh u zbardhën për mediat nga kreu i opozitës Zoran Zaev. Mes tyre spikatën zbardhjet e bisedave të dyshimta të Mijalkovit (me një ndërmjetës izraelit dhe një gjykatës të sapoemëruar), që kërkonte gjysmë milioni euro nga kompania izrelite vetëm për t’u marrë një konsideratë.

Qytetarët nisën një valë protestash që mbushën sheshet e Shkupit në muajin maj. U deshën negocata të gjata me ndërmjetësim ndërkombëtar që në fund, Gruevski të vendoste për dorëheqjen dhe krijimin e një qeverie provizore drejt zgjedhjeve parlamentare.

Vjedhja zgjedhore

Është kjo dosje zgjedhore që e ka vënë në siklet qeverinë e djathtë, më shumë sesa aferat korruptive “të zakonshme” për Ballkanin. Tashmë, prej 14 janarit kryeministër është sociologu Emil Dimitrievski, zyrtar i lartë i VMRO-së por gjithsesi me profil “teknicieni”.

Benzinë këtij zjarri i hodhi edhe kryeopozitari Zaev, që publikoi disa përgjime ku një zë që i ngjan ministres së Brendshme Jankulovska, përshkruan sesi “këtë moment ministria ime i ngjan shtabit të përgjithshëm të fushatës së partisë… Duhet të pastrojmë posterat e fushatës që mos t’i gjejnë këtu zyrtarët e huaj që vijnë për vizitë”. Një tjetër përgjim jep Gruevskin përpara një grupi zyrtarësh të lartë të partisë, që kërkon përfshirjen në truke elektorale, votues fiktivë, karta false votimi, presion ndaj kompanive e individëve, përdorimin e administratës dhe policisë.

Duket se në këtë pikë, “hyn në ekuacion” edhe partia e maqedonasve të Shqipërisë, Aleanca Maqedonase ku akuza ndaj kreut të komunës së Pustecit (ish Liqenasit) Edmond Themelko, flet pikërisht për manipulim zgjedhor, paçka se ai u lirua nga prangat dhe do gjykohet në liri.

Shqipëria… në fund

Edhe në dukurinë e re të forcimit të hetimit penal ndaj zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe krime të çdo lloji, Shqipëria mbetet në fund. Varianti ynë i kësaj përpjekjeje quhet Byroja Kombëtare e Hetimit, dhe odisenë e miratimit të këtij enti të ri, të veçantë hetimor, tashmë e dimë. Nën presionin e opinionit publik, por më shumë atij ndërkombëtar, varianti ynë i zonjës Janeva nuk la lindur ende; mbetet akoma kryeprokurori Llalla, ai i cili pas shumë deklaratave periodike mbi hetimin intensive të zyrtarëve të lartë, konkretizoi akuzën ndaj ish ministrit të Punës Sociale Spiro Ksera, për një aferë abuzimesh 300 mln lekë të vjetra. E komentuar kjo gjerësisht si përzgjedhje e qëllimshme minore dhe me profil të ulët, e një ish zyrtari pa mbështetje politike, sa për të ‘larë gojën’.

Siç e thamë në fillim të shkrimit, rastin maqedon të “zhdukjes në drejtim të paditur” të ministrave e njerëzve të fuqishëm të politikës, ne e kemi përjetuar vetëm në 97-n, kur vendi ishte në flakë. Për të parë luftë normale institucionale kundër korrupsionit dhe krimeve të niveleve të larta, në kohë normale paqeje, duhet të presim ende.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button