Kryeartikull

Një vend që kriminelët i nderon si heronj ardhmërinë e ka të errët

Enver Robelli
Enver Robelli

Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetëshpallur i lanë pa shtëpi qindra banorë dhe rrezikuan qindra të tjerë për llogari të shërbimeve sekrete të Shkupit. Kurrfarë “çështje kombëtare” nuk është mbrojtur në Kumanovë, sepse vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre e marrin shqiptarët e Maqedonisë dhe jo haraçmbledhësit nga Kosova.

1.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër deri në Spanjë për tregti me drogë.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër si mbledhës haraçi nga bizneset e Kosovës.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër si kërcënues të rendit publik.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër si vjedhës votash.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër si kriminelë ordinerë.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona me dosje kriminale që kanë bërë emër si truproja politikanësh.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër si padronë kazinosh.

Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë ka edhe persona që kanë bërë emër duke koketuar me islamin radikal dhe me pseudoimamë faqezi që për dinarë e denarë e djegin vendin mbarë.

2.

Të quhen të tillët heronj është më shumë se punë e pistë.

Të varrosen të tillët në varreza të partizanëve – është njollosje e luftës antifashiste.

Të varrosen të tillët afër luftëtarëve të denjë të pavarësisë së Kosovës – është njollosje e lirisë së Kosovës.

Të varrosen të tillët afër presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova – është njollosje e përpjekjeve për liri e pavarësi në çerekshekullin e fundit.

3.

Nderohen njerëz me dosje kriminale dhe pastaj shprehet njëfarë befasie agresive kundër Europës dhe Amerikës që po kërkojnë të themelohet Gjykata Speciale për të gjykuar të dyshuarit për krime, pasi si shoqëri dështuam t’i çojmë vetë në qeli. Lartësohen kriminelë dhe pritet që për këtë të duartrokasë Brukseli dhe Washingtoni.

4.

Shteti i Kosovës këto ditë nuk ekziston. Hesht kryeministri. Hesht kryetari i partisë më të madhe. Heshtin edhe krerë të tjerë institucionesh. Heshtin ata që nuk do të duhej të heshtnin. Heshtin eksponentë të shoqërisë civile. Heshtin edhe ata që nuk heshtën as në kohën e Rankoviqit, as në kohën e Mareshal Titos, as në kohën e Millosheviqit. Një shoqëri që dorëzohet para kriminelëve – pa marrë parasysh çfarë nacionaliteti kanë ata – nuk e meriton lirinë. Kurrë më pak se sot shoqëria e Kosovës nuk e ka merituar lirinë. Dhe rrallëherë liria e Kosovës ka qenë më e nëpërkëmbur se sot, ku politikanë të rangut të ulët e të lartë, deputetë e deputete bien në gjunjë para njerëzve që për një duq para shndërrohen në maskarenj. A do të donin këta deputetë që disa prej të dyshuarve për krime të rënda t’i kishin model për fëmijët e tyre në Republikën e lirë e të pavarur të Kosovës? A do të donin që dilerët e drogës të jenë shembull për fëmijët e shtetit të Kosovës?

5.

Në Kosovë të drejtën e kanë marrë në dorë një tufë keqbërësish që për t’i mbuluar krimet dhe haraçin u bëjnë “nderime ushtarake” personave që do të duhej ta kishin vendin në burg po të mos ishin vrarë në një përleshje të pakuptimtë me forcat maqedonase.

Këta njerëz askush nga popullsia e Kumanovës nuk i ka ftuar për t’i çliruar banorët e një lagjeje të Kumanovës. Shkoni dhe pyetni qytetarët e Kumanovës, që kanë mbetur në rrugë dhe tërë ditën e natën vetëm mund t’i sodisin shtëpitë e tyre gërmadha. Ata, banorët e Kumanovës, do të thonë se këta njerëz nuk janë çlirimtarë. Shkoni dhe bisedoni me një zot shtëpie tani pa shtëpi, i cili do t’ju tregojë se këta keqbërës janë futur në lagje dhe kanë rrezikuar banorët, madje edhe invalidët. Duket e pabesueshme që në këtë shtëpi kanë shpëtuar një djalë 18-vjeçar që e ka prekur plumbi në sup, kanë shpëtuar edhe 5 invalidë, prej tyre 4 të verbër.

Një tjetër zot shtëpie do t’ju tregojë se si e ka humbur shtëpinë në vlerë prej 250 mijë euro dhe si i janë traumatizuar fëmijët, të cilët tani po gjejnë pak qetësi në Zvicër. Një prind tjetër do të tregojë se djalin e keqtrajtuar rëndë nga policia maqedonase e ka dërguar në Zvicër për shërim. Nuk është kurrfarë trimërie t’i futësh në rrezik qindra banorë civilë për të bërë një luftë që është kurdisur kafehaneve që gjenden në rrugën Prishtinë-Shkup. Në Kumanovë këta çlirimtarë të vetëshpallur i lanë pa shtëpi qindra banorë dhe rrezikuan qindra të tjerë për llogari të shërbimeve sekrete maqedonase. Kurrfarë “çështje kombëtare” nuk është mbrojtur në Kumanovë, sepse vendimin se me çfarë mjetesh duhet të luftojnë për të drejtat e tyre e marrin shqiptarët e Maqedonisë dhe jo haraçmbledhësit nga Kosova.

6.

Marrëzinë e Kumanovës nuk duhet ta blejë askush si akt patriotik. Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni nuk është e mirë për shkak se nuk po zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Por, ajo gjendje nuk është e tillë që do të arsyetonte ndezje konfliktesh të armatosura. Nga ana tjetër: shqiptarët në Maqedoni nuk i kanë harxhuar mjetet politike për të luftuar për të drejtat e tyre. Kanë një parti në qeveri dhe nëse kjo parti nuk i përfaqëson interesat e tyre, atëherë le ta zgjedhin një tjetër. Në pothuaj çdo institucion kanë përfaqësues të tyre. Nëse s’janë të kënaqur me ta, le të dërgojnë zyrtarë më të zotë. Në këtë betejë politike shqiptarëve të Maqedonisë nuk u duhet ndihma me armë e asnjë keqbërësi.

7.

Pa marrë parasysh ç’vepër heroike mund të ketë bërë në të kaluarën ndonjëri nga të vrarët në Kumanovë, shndërrimi i tyre i mëvonshëm në mbledhës haraçi dhe autor krimesh të tjera i bënë ata të padenjë për të qenë model i heroit në një shoqëri të pasluftës. Kundër tendencës së konvertimit të kriminelit në hero duhet të protestojë shoqëria, nëse dëshiron një të ardhme më të mirë se sot. Ndryshe vazhdojmë të jemi shoqëri hipokrite e dominuar nga dallkaukët. Ja një shembull për këtë: ditë më parë në një rajon të Kosovës u zbulua busti i një luftëtari. Folësit me atë rast thanë se i ndjeri kishte rënë në ballafaqim me forcat serbe, se kishte luftuar heroikisht, se ishte sypatrembur… Derisa i dëgjonin këto fjalë shumica e të pranishmëve i pëshpëritnin njëri-tjetrit në vesh, duke treguar detaje se si luftëtari ishte vrarë nga UÇK. Këtë e dinin të gjithë dhe të gjithë i duartrokisnin versionit të pavërtetë të ngjarjes.

8.

Edhe sjellja e politikanëve të Kosovës ndaj disa prej atyre që u vranë në Kumanovë dhe që dihet se ishin njerëz me dosje të trasha kriminale është po aq hipokrite sa ajo para bustit të luftëtarit të lartpërmendur. Me këtë mentalitet një Gjykatë Speciale është pak. Në mesin e atyre që u vranë në Kumanovë mund të ketë edhe ndonjë idealist të mashtruar, por kjo nuk e bënë veprimin e tyre të pranueshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button