NJU JORK – SHBA fton Putinin në samitin e G20-s në Miami
NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë ftuar presidentin rus, Vladimir Putin të marrë pjesë në samitin e G20, që do të zhvillohet në Miami në muajin dhjetor, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“E kemi ftuar presidentin Putin në G20. Mendojmë se kjo është një mundësi që ai të angazhohet jo vetëm me presidentin, por edhe me liderë të tjerë botërorë. Shpresojmë që ai ta pranojë ftesën”, u tha Rubio gazetarëve në Nju Jork.
Më herët, Rubio u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Ministria e Jashtme ruse publikoi në rrjetin social X fotografi nga takimi, por nuk dha menjëherë detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë mbeten të tensionuara, pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar vazhdimisht marrëdhënien e tij të mirë me Putinin.
Rubio dhe Lavrov ishin takuar për herë të fundit në korrik, në kuadër të një takimi të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it në Manila.
Bisedimet zgjatën rreth 35 minuta dhe nuk sollën ndonjë përparim lidhur me çështjen kryesore të mosmarrëveshjes mes Uashingtonit dhe Moskës: luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
SHBA-ja ka kërkuar të ndërmjetësojë për t’i dhënë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë, por deri tani nuk është arritur një marrëveshje për zgjidhjen e konfliktit.
Rusia vijon të jetë anëtare e G20-s, e cila përbëhet nga 19 vende, Bashkimi Evropian dhe Bashkimi Afrikan.
Ndërkohë, Rusia u përjashtua nga G8-a, siç njihej atëherë grupimi, në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet t’i drejtohet më vonë sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.