Nobelisti Patrick Modiano, mjeshtër i kujtesës
Librat e Modianos tregojnë kryesisht për kohën e pushtimit gjerman të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për persekutimin e hebrenjve.
Jo Lendle është i gëzuar. Shefi i shtëpisë botuese Hanser Verlag, e ka Patrick Modianon në programin e botimeve të tij. Dhe kështu edhe një tjetër fitues të çmimit Nobel për Letërsinë. Askush nuk e priste që tregimtari francez do të merrte këtë vit çmimin më të lakmuar letrar në botë. Si favoritë konsideroheshin japonezi Haruki Murakami, keniani Ngugi Thiong’o dhe austriaku Peter Handke. Por edhe një herë, Akademia Suedeze vuri theksin e vet.
I vlerësuar në Francë
Patrick Modiano është në Francë shumë i vlerësuar, i lexuar dhe i nderuar me çmime. Por në arenën ndërkombëtare ai është pak i njohur. Tani kjo do të ndryshojë, sidomos pasi librat e hollë të shrimtarit të lindur në vitin 1945 në Boulogne-Billancourt janë të shkruara në një gjuhë të thjeshtë, lehtësisht të lexueshme, por megjithatë elegante. Neue Zürcher Zeitung përshkruante atë dikur si “mjeshtër të maskaradës gri të mjegullt që në veprat e tij hedh gjurmë autobiografike të cilat edhe menjëherë i më pas i fshin”. Patrick Modiano jeton në Paris dhe ka shkruar rreth 30 libra, kryesisht romane, por edhe disa libra për fëmijë. Ato tregojnë kryesisht për kohën e pushtimit gjerman të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për persekutimin e hebrenjve, si dhe për periudhën e pasluftës dhe vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar.
Në kërkim të kujtimeve
Librat e tij janë libra shumë të veçantë kujtimesh që kanë në qendër të tyre kërkimin e dhimbshëm, ndonjëherë edhe hetues të figurave për identitetin dhe të kaluarën e tyre, thuhej në argumentimin e komitetit për Çmimin Nobel. “Qëllimi im është që të përpiqen për të riprodhuar një botë në muzg”, kishte thënë një herë Modiano. “Unë përshkruaj kohën e okupimit, për shkak se ajo më ofron një atmosferë ideale të turbullt dhe një dritë të veçantë.” Kërcënimi ekzistencial i persekutimit në vitet tridhjetë dhe dyzetë të shekullit XX rezonon në shumicën e romaneve të Modianos. Ky e ka shkakun sigurisht në vetë historinë e tij. Babai i Modianos ishte hebre dhe gjatë pushtimit gjerman jetonte nën një emër të rremë dhe në ilegalitet. E ëma, një aktore belge, ishte shpesh në turne, dhe i vëllai Rudy vdiq herët. Atij Modiano i kushtoi shumicën e romaneve të tij.
Dashuri e humbur në Berlin
Libri i fundit i Modianos “Horizonti”, i botuar në gjermanisht në vitin 2013, tregon historinë e një çifti të ri në vitet e trazuara 1960. Aty tregohet historia e një dashurie të humbur, shumë kujtime dhe një gjurme që të çon deri në një librari në Berlin. Romani tjetër i Modianos “Barërat e Natës” qe parashikuar fillimisht të botohej në pranverë të vitit 2015. Por tani që autori u nderua me çmimin Nobel në letërsi, shtëpia botuese Carl Hanser Verlag njoftoi botimin e këtij libri në ditët e ardhshme.