“Nomad Lawyer”: Korça, Pogradeci dhe Përmeti, destinacionet që po i japin Shqipërisë një tjetër dimension turistik
– Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje edhe përtej bregdetit, ndërsa qytetet historike, zonat malore dhe luginat e lumenjve, po shfaqen si destinacione tërheqëse për turistët që kërkojnë natyrë, kulturë, histori dhe përvoja më autentike.
Një artikull i publikuar së fundmi në platformën ndërkombëtare online të specializuar në udhëtime dhe turizëm, “Nomad Lawyer” e vendos në fokus këtë ndryshim, duke veçuar Korçën, Pogradecin, Përmetin, Gjirokastrën, Shkodrën, Dibrën dhe Lezhën, si zona ku turizmi po zhvillohet me ritme të larta.
Sipas të dhënave të përmendura në artikull, numri i strukturave akomoduese në Shqipëri, është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2023, vendi kishte rreth 58 mijë dhoma dhe 130 mijë vende akomodimi, ndërsa numri i strukturave akomoduese ishte rreth 24,7% më i lartë se në vitin 2021.
Rritja është veçanërisht e dukshme në disa prej destinacioneve të brendshme.
Korça kaloi nga 120 struktura akomoduese në vitin 2021 në 135 në vitin 2023, ndërsa Gjirokastra nga 60 në 75.
Në Shkodër, numri u rrit nga 150 në 175 struktura, ndërsa në Lezhë nga 75 në 90.
Një nga shembujt më të spikatur është Dibra, ku numri i strukturave akomoduese u rrit me rreth 40% mes viteve 2021 dhe 2023, duke sinjalizuar rritjen e interesit për zonat malore dhe rurale të vendit.
Nga bregdeti drejt zonave malore dhe rurale të Shqipërisë
Artikulli vëren se, krahas turizmit bregdetar, po rritet interesi për zona më pak të frekuentuara, ku vizitorët mund të përjetojnë nga afër natyrën, historinë dhe traditat lokale.
Në këtë drejtim, Përmeti veçohet për turizmin e lidhur me natyrën dhe lumin Vjosa.
Vizitorët mund të eksplorojnë Banjat Termale të Bënjës, kanionin e Lengaricës dhe urën e Kadiut, ndërsa gastronomia lokale është një tjetër element i rëndësishëm i përvojës turistike.
Artikulli përmend veçanërisht glikon, reshedinë dhe gatimet tradicionale të zonës, duke e paraqitur Përmetin si një destinacion ku natyra dhe kultura lokale ndërthuren së bashku.
Një tjetër bosht turistik që po merr formë është ai që lidh Korçën me Pogradecin, duke ndërthurur trashëgiminë historike dhe kulturore të Korçës me peizazhin dhe atmosferën e Liqenit të Ohrit në Pogradec.
Në këtë itinerar përfshihen edhe Lini dhe Leskoviku, duke krijuar mundësi për një udhëtim, që ndërthur qytetet dhe fshatrat historike, zonat malore dhe peizazhet liqenore.
Gjirokastra përmendet gjithashtu si pjesë e këtij rrjeti të destinacioneve të brendshme, me trashëgiminë e saj historike dhe arkitekturën tradicionale prej guri.
Qyteti është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe përfaqëson një prej pikave të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri.
Ndërkohë, Shkodra dhe Lezha janë ndër zonat e tjera ku është rritur numri i strukturave akomoduese, duke reflektuar zgjerimin e ofertës turistike përtej destinacioneve tradicionale të bregdetit.
Turizëm në të gjitha stinët
Sipas artikullit, për të eksploruar zonat e brendshme të Shqipërisë, periudhat më të përshtatshme janë fundi i pranverës dhe vjeshta, kur temperaturat janë më të favorshme dhe fluksi i turistëve është më i ulët se gjatë muajve të pikut të verës.
Një itinerar i propozuar përfshin Tiranën, Linin, Pogradecin, Korçën, Leskovikun, Përmetin dhe Gjirokastrën, duke krijuar një udhëtim përmes peizazheve, historisë dhe traditave të ndryshme të Shqipërisë.
Kjo prirje shkon paralelisht me rritjen e përgjithshme të turizmit në Shqipëri.
Sipas shifrave të përmendura në artikull, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026, vendi regjistroi rreth 5 milionë hyrje të shtetasve të huaj, kundrejt rreth 4,8 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat neto nga turizmi gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, vlerësohen në rreth 2,4 miliardë euro, kundrejt rreth 2,1 miliardë eurove në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Artikulli nënvizon se sfida për Shqipërinë është që rritja e numrit të turistëve të shoqërohet me mbrojtjen e natyrës dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, veçanërisht në zonat që po bëhen gjithnjë e më të njohura.
Në këtë kuadër, Vjosa përmendet si një nga shembujt kryesorë të turizmit të bazuar në natyrë.
Zhvillimi i këtij modeli synon të sjellë të ardhura për komunitetet lokale, duke ruajtur njëkohësisht karakterin natyror të zonës.
Edhe zhvillimi i bujtinave dhe strukturave të vogla turistike në ndërtesa tradicionale, shihet si një mënyrë për të ruajtur karakterin historik të qyteteve dhe fshatrave.
Kështu, përtej plazheve të njohura të vendit, Shqipëria po krijon një hartë turistike gjithnjë e më të larmishme, ku Korça, Pogradeci, Përmeti, Gjirokastra, Shkodra, Lezha, Dibra, Lini dhe Leskoviku po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit kulturor dhe natyror. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.