Akademia e Shkencave marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të CIHEAM-Bari, dr. Biagio Di Terlizzi, së bashku me delegacionin shoqërues.
Delegacioni i CIHEAM-Bari përfshinte Biagio Di Terlizzi (drejtor i përgjithshëm), Fabrizio Contento (drejtor i Njësisë së Evropës Juglindore dhe koordinator i projekteve për Ballkanin), prof. dr. Mara Semeraro (përgjegjëse e Zonës Shkencore), dr. Toufic Elbeaino (përfaqësues i Njësisë së Shëndetit të Bimëve dhe Kafshëve) dhe Pandeli Pasko. Nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë morën pjesë akad. Ilia Mikerezi, prof. dr. Magdalena Cara, prof. dr. Jordan Merkuri dhe prof. asoc. Elda Zotaj.
Në fjalën e tij, akad. Gjinushi theksoi se bashkëpunimi me CIHEAM-in ka një histori të konsoliduar dhe se marrëveshja e re nxjerr në pah angazhimin e Akademisë për zhvillimin e shkencave bujqësore. Ai nënvizoi se falë reformave të ndërmarra gjatë viteve të fundit, Akademia e Shkencave është shndërruar nga një institucion thjesht honorifik në një strukturë aktive kërkimore, e cila synon të bëhet qendra kryesore e kërkimit shkencor në Shqipëri, duke forcuar bashkëpunimin me universitetet dhe institucionet e tjera.
Kryetari i ASHSH-së bëri të ditur se në kuadër të Komisionit të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë pranë ASH-së përfaqësohen të gjitha institucionet kërkimore e ato te arsimit të lartë dhe se është krijuar qendra kërkimore e bioteknologjisë dhe gjenetikës.
Synimi i Akademisë, theksoi ai, është që kërkimi shkencor në vend të arrijë standardet evropiane, duke synuar që fondet shtetërore për këtë fushë të kapin të paktën 1% të PBB-së. Ai shtoi se ligji i ri i shkencës stimulon institutet të përfshihen në studimet pasuniversitare e doktorale në bashkëpunim të ngushtë me universitetet, dhe se marrëveshja e sotme shënon një hap drejt konkretizimit të këtij bashkëpunimi.
Nga ana e tij, dr. Biagio Di Terlizzi vlerësoi rolin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Ministrinë e Kërkimit në Itali dhe nënvizoi se prania e CIHEAM-it në këtë bashkëpunim dëshmon hapësirën e gjerë për zhvillim, planifikim dhe strategji të përbashkët. Ai veçoi rëndësinë e bashkëpunimit me ASH e njësitë e saj veçanërisht për kërkimin shkencor në bujqësi, ushqimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen e mjedisit si katër shtyllat kryesore të kësaj nisme.
Në përmbyllje, ai theksoi se palët janë të gatshme të kalojnë në veprime konkrete me perspektivë të qartë, duke forcuar më tej marrëdhëniet ndërinstitucionale.
Marrëveshjen mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe CIHEAM – Bari, e vlerësoi edhe prof. dr. Magdalena Cara, duke u ndaluar në zgjerimin e mundësive që lidhin kërkimin shkencor dhe inovacionin me nevojat praktike të bujqësisë dhe sektorit agro-ushqimor. Ajo theksoi se marrëveshja mbështetet mbi një histori të gjatë dhe të shquar bashkëpunimi me specialistët në Bari dhe veçanërisht në CIHEAM Bari, e cila filloi në vitet 1980 përmes punës së profesor Martellit dhe profesor Mërkurit dhe shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi do të fokusohet në projekte konkrete.
Takimi u mbyll me nënshkrimin e marrëveshjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.