OBSH: Aktivitetet masive në temperatura të larta rrezikojnë shëndetin
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin se sëmundjet dhe problemet shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta në grumbullime masive, si ngjarjet e mëdha sportive, fetare dhe kulturore, janë bërë një rrezik i rëndësishëm për shëndetin publik dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve.
Ekspertët thonë se të rrezikuar janë spektatorët, pjesëmarrësit, vullnetarët dhe punonjësit.
Një rishikim i ri i provave shkencore, që përfshin studime të publikuara nga viti 1980 deri në vitin 2025, dokumentoi rreth 500 000 kontakte mjekësore në aktivitete me pjesëmarrje masive, ndër të cilat më shumë se 22 000 raste të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë.
Studimet tregojnë gjithashtu se, kur shërbimet mjekësore në vendngjarje janë të organizuara mirë, mbi 90% e pacientëve mund të trajtohen aty.
Nisur nga këto fakte OBSH thekson se temperaturat ekstreme nuk duhet të konsiderohen vetëm si një problem mjedisor, por edhe si një çështje thelbësore e organizimit, sigurisë dhe menaxhimit të ngjarjeve.
Ngjarjet masive mund të vënë në rrezik shëndetin për disa arsye, nisur nga qëndrimi i gjatë në ambiente të hapura dhe nën diell, dendësia e madhe e turmave, mungesa e ujit të sigurt, lodhja nga udhëtimi, mosnjohja e klimës lokale dhe ngarkesa shtesë mbi shërbimet shëndetësore.
Për të parandaluar këtë fenomen, OBSH rekomandon një qasje të integruar të të gjithë ciklit të aktivitetit nisur nga projektimi i hapësirave, menaxhimin e turmave, furnizimin me ujë dhe kanalizimet, transportin, sigurinë, komunikimin dhe mbrojtjen e punonjësve. Në këtë mënyrë, organizatorët mund të reduktojnë sëmundjet dhe vdekjet nga nxehtësia, ndërsa njëkohësisht shmangin ngarkesën e panevojshme mbi spitalet dhe ambulancat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.