Von der Leyen në Podgoricë: BE-ja e sheh Malin e Zi si anëtaren e 28-të deri në 2028, kërkohet unitet politik
Presidentja e Komisionit Evropian, pas takimit me kryeministrin Spajiq, premtoi mbështetje të plotë në fazën përfundimtare të negociatave; Komisioni do të prezantojë së shpejti hartat e rrugës për kandidatët më të avancuar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën në Podgoricë se Bashkimi Evropian e sheh Malin e Zi si anëtaren e tij të 28-të deri në vitin 2028 dhe i premtoi vendit mbështetje të plotë në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim, siç njofton Dan pas konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Milojko Spajiq.
“Mi vjerujemo u Crnu Goru kao 28. članicu do 2028. i pružićemo vam podršku cijelim putem. Možete da računate na nas”, tha von der Leyen pas takimit me kryeministrin malazez, duke theksuar se Brukseli do të jetë krah Malit të Zi në të gjithë rrugën drejt BE-së.
Sipas raportimit të Dan-it, presidentja e Komisionit vlerësoi se Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave dhe ka arritur përparim të ndjeshëm në reforma, veçanërisht në sundimin e ligjit. “Linija cilja je na vidiku. Prelazak te linije poslao bi moćan signal u cijelom Zapadnom Balkanu”, tha ajo, duke shtuar se faza përfundimtare do të kërkojë stabilitet të vazhdueshëm politik, mbështetje të gjerë nga të gjitha partitë dhe marrëdhënie të forta me shtetet anëtare.
Von der Leyen njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të prezantojë së shpejti hartat e rrugës për shtetet kandidate më të avancuara, mes tyre Malin e Zi, të cilat do ta shndërrojnë rrugën drejt anëtarësimit në hapa, afate dhe detyrime konkrete.
Nga ana e tij, kryeministri Spajiq tha se qeveria punoi fort gjatë verës dhe se rezultatet e reformave janë të dukshme: “Nećemo se opuštati, već ostajemo fokusirani na rezultate”. Ai u shpreh optimist se deri në fund të vitit do të mbyllet çdo kapitull negociatash dhe se viti 2028 është viti kur Mali i Zi do të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian, duke shtuar se qeveria është gati të pranojë vlerësimet dhe kritikat, sepse kjo është në interes të Malit të Zi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.