Oda Amerikane mirëpret zgjedhjen e Presidentes së Kosovës: Fokusi të kthehet te ekonomia
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur kompletimin e arkitekturës institucionale të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në pozitën e Presidentes.
Përmes një reagimi, Oda Amerikane ka theksuar se me institucionet e Kosovës tashmë të konstituuara, fokusi duhet të zhvendoset fuqishëm drejt prioriteteve ekonomike dhe strategjike të vendit.
Sipas Odës, nevojitet një dinamikë e re në reformat e qeverisjes ekonomike, përmirësimin e mjedisit për të bërit biznes dhe investime, si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Duhet të ndërmerren masa që rrisin konkurrueshmërinë dhe mundësojnë rritje të qëndrueshme ekonomike”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike Amerikane vlerëson gjithashtu se funksionaliteti i plotë institucional duhet t’i japë shtysë të re procesit të integrimit euroatlantik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë strategjikë.
Në fund, Oda ka bërë të ditur se mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin në zhvillimin ekonomik dhe orientimin euroatlantik të vendit.
“Oda Ekonomike Amerikane mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet e vendit në avancimin e reformave, fuqizimin e sektorit privat dhe kontributin për prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës”.
Justina Shiroka Pula është zgjedhur presidente e Kosovës më 7 tetor, pas një marrëveshjeje të minutës së fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet dhe Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë.
Votimi i fshehtë nisi vetëm gjashtë minuta para mesnatës së 6 tetorit, kur skadonte afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, por përfundoi pas këtij afati. Deputetët synonin të shmangnin shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe zgjedhjet e tjera të parakohshme.
Ajo u zgjodh qysh në rundin e parë të votimit, me 81 vota për.
Shiroka Pula, 72 vjeçe, u betua si presidente para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe tha se e pranon “me përgjegjësi” detyrën e re.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe shtetit”, tha ajo në fjalimin e saj para deputetëve.
Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do ta mbrojë Kushtetutën, interesin e republikës dhe interesat e qytetarëve të Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.