Qeveria e Kosovës ndan 15 mln euro për faturat e energjisë për konsumatorët e cenueshëm
Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike në Kosovë 2026-2027 është aprovuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë, me të cilin planifikohet ndarja e rreth 15 milionë eurove.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 15 milionë euro në kuadër të programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike 2026-207.
Siç ka njoftuar Ministria për Familje, vendimi u mor të martën në mbledhjen e Qeverisë.
Ai parasheh që për konsumatorët e cenueshëm të ketë subvencionim të faturave të rrymës.
“Programi ka për qëllim mbështetjen e ekonomive familjare nga sistemi i mbrojtjes sociale dhe sigurimin e qasjes së barabartë në energji elektrike si shërbim esencial, përmes subvencionimit të energjisë për konsumatorët e cenueshëm”, thuhet në njoftim të Ministrisë.
Sipas njoftimit, në ditët në vazhdim do të përcaktohen edhe kushtet dhe kriteret për përfitim, që të hapet thirrja për aplikim.
“Programi fokusohet në mbështetjen financiare përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike, si një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.
Republika e Kosovës ka marrë obligime edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm”, thuhet në njoftim.
Kategori e cenueshme u referohet familjeve që janë në pozitë më të pafavorshme ekonomike në krahasim me pjesën tjetër të shoqërisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.