Bota

Ofensiva online e Obamës

Barack Obama mbajti të martën fjalimin mbi gjendjen e kombit. Si çdo vit ai foli për konceptet bazë të politikës së tij. Kësaj rradhë marketimi i fjalimit ishte më i rëndësishëm se sa vetë përmbajtja.

Është traditë politike në Shtetet e Bashkuara: Kushtetuta amerikane përcakton që presidenti të mbajë një herë në vit një fjalim para dy dhomave të Kongresit mbi gjendjen e kombit. Në vitet 1930-të amerikanët vinin veshin pranë radios për të ndjekur me vemendje fjalimin e presidentit të tyre, që transmetohej nga Shtëpia e Bardhë në të gjithë vendin. Në vitin 1965, kur fjalimi, i quajtur state of the Union, i presidentit Lyndon B. Johnson mund të shihej për herë të parë edhe në televizion, miliona njerëz u mblodhën në mbrëmje para televizorëve të tyre.

Shumë zhurmë – për asgjë?

Por këto ditë i takojnë së kaluarës. Sot gjithnjë e më pak qytetarë hapin televizorin për të parë fjalimin më të rëndësishëm të presidentit pas atij me rastin e marrjes së mandatit. Vitin e kaluar fjalimi state of the Union i Obamës pati shikueshmërinë më të ulët që prej 20 vjetësh, edhe pse ai u transmetua nga 13 stacione të mëdha televizive në kohën më të mirë të transmetimit. Vetëm 33 milionë amerikanë ndoqën fjalimin e Obamës vitin e kaluar. Në vitin 1993, kur Bill Clinton mbajti fjalimin për gjendjen e kombit, kishte 67 milionë shikues. Në fakt ka përjashtime edhe gjatë mandatit të Obamës. Fjalimin e tij në vitin 2009 e panë 52 milionë, por tendenca e përgjithshme shkon në një drejtim: numri i shikuesve për fjalimin e state of the Union po bie.

“Shumë njerëz nuk kanë dëshirë ta shohin fjalimin”, thotë Mary Stuckey, e cila merret me komunikimin dhe retorikën e presidentit të SHBA-së në universitetin Georgia State në Atlanta. “Ka aq shumë zhurma, aq shumë zëra që konkurrojnë për të tërhequr vemendjen. Kjo e bën thjesht të pamundur, që dikush sot ta dëgjojë të gjithë fjalimin e presidentit.”

Ofensivë mediatike nga Shtëpia e Bardhë

Shtëpisë së Bardhë nën drejtimin e Obamës nuk ia kalon kush në botë, përsa i përket mobilizimit të zgjedhësve dhe transmetimit të informacionit. Tani ajo ka vendosur të mos e pranojë në mënyrë pasive rënien e kuotës së shikueshmërisë. Për të ndalur tendencën e rënies administrata Obama e çon përmbajtjen thelbësore të fjalimit të presidentit atje, ku mendon se ka një publik në rritje konstante, në internet.

Për platformën e përhapur të internetit Upworthy Obama ka përgatitur një video, ku ai flet për iniciativën e tij për përmirësimin e qasjes në internet. Këshilltari i tij Dan Pfeiffer vendosi dy shkrime lidhur me fjalimin e ardhshëm. Valerie Jarrett, e besuar e presidentit amerikan, aplikoi planet e Obamës për pagesën e ditëve me raportë dhe lejen e pushimit për prindërit, përmes rrjetit social LinkedIn.

Në faqen e saj të internetit Shtëpia e Bardhë ka nisur një fushatë të re me titull: “Your memo to the President”. Përdoruesit mund ta njoftojnë aty personalisht Obamën, se në çfarë temash duhet të fokusohet kryesisht. Përveç kësaj dy ditë pas fjalës së tij mbi gjendjen e kombit Obama “do të bisedojë direkt me qytetarët amerikanë” përmes platformës së internetit YouTube, mësohet nga Shtëpia e Bardhë. Natyrisht që përveç kësaj Shtëpia e Bardhë ka përhapur agjendën e Obamës dhe ka bërë thirrje, për të ndjekur “fjalimin e përmirësuar mbi gjendjen e kombit”.

“Është një qasje e zgjuar duke patur parasysh situatën konfliktuoze mediale dhe politike dhe përshtatet në strategjinë mediatike të Obamës”, thotë historiania Jennifer Mercieca, e cila ndjek në universitetin e Teksasit A&M diskursin politik nga këndvështrimi historik.

Ofensiva mediatike nga Shtëpia e Bardhë ka dy qëllime: Ajo duhet të tregojë, që Obama nuk është “një palë e çalë”, e paaftë të veprojë, por është në gjendje t’i arrijë amerikanët. Përveç kësaj ai duhet të sfidojë fushatën kundërshtuese të republikanëve opozitarë dhe të përcaktojë debatin politik sipas këndvështrimit të Obamës.

Para një viti: Barack Obama flet mbi gjendjen e kombit
Para një viti: Barack Obama duke folur para Kongresit Amerikan mbi gjendjen e kombit

Pa surpriza

Meqenëse shumë nga temat kryesore janë trajtuar paraprakisht para fjalimit, nuk pritet që ai të ketë surpriza. “Do të shtjellohen pikërisht temat, që ai ka formuluar tashmë”, mendon ekspertja për komunikimin politik, Mary Stuckey. “Në këtë fjalim të shumëpeshuar nuk dëshirohen surprizat.”

Për fjalimin e Obamës kjo do të thotë se fokusi do të vendoset kryesisht në çështjet e brendshme. Me një përjashtim: sulmi ndaj redaksisë së “Charlie Hebdo”. Obama ka pranuar se ka qenë gabim për të mos dërguar askënd në marshin funebër në Paris. Injorimi i kësaj çështjeje në fjalën e tij do ta përkeqësonte edhe më shumë këtë gabim, thotë Stuckey.

Në të njëjtin nivel me Reganin

Për ekspertët e komunikimit Stuckey dhe Mercieca sfera, që Shtëpia e Bardhë ka krijuar në internet në lidhje me fjalimin e ardhshëm për gjendjen e Kombit, është më e rëndësishme sesa përmbajtja e vetë fjalimit. “Kjo është një qasje shumë e suksesshme për të përhapur mesazhet e dëshiruara. Dhe paraqet një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet mes “shtypit dhe presidentit”, thotë Jennifer Mercieca. “Po të krahasosh teknologjinë dhe mënyrën, se si presidentët e arrijnë publikun, atëherë Obama bën diçka të ngjashme si dikur Reagan në fjalimin e tij në fillim të mandatit”, mendon Mary Stuckey.

Presidenti Ronald Reagan konsiderohet përgjithësisht si dikush, që e ka çuar marketingun televuzial politik në një nivel të ri. Reagan, i cili para se të bëhej president, kishte qenë aktor i Holivudit, e përforcoi imazhin e tij duke përdorur mjeshtërisht median dominante të kohës së tij, televizionin. Obama përpiqet të bëjë tani të njëjtën gjë me median e kohës sonë, internetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button