Kosova

OJQ-të për dënimin pesë milionësh: Personat jo-kompetentë në pozita të larta udhëheqëse

Organizatat jo qeveritare në vend kanë shprehur shqetësim në lidhje me vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris, me të cilin Qeveria e Kosovës, e rrjedhimisht qytetarët e vendit duhet t’i paguajnë pesë milionë euro shtypshkronjës shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei”.

Në reagim thuhet se vendosja e njerëzve jo-kompetentë për pozita të larta udhëheqëse dhe këshillëdhënëse, vazhdon t’i shkaktojë dëme vendit.

“Si rrjedhojë, kjo shumë kaq e madhe e të hollave që duhet të paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës nuk është e para dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë e fundit. Së paku edhe një institucion tjetër, Posta dhe Telekomi i Kosovës, është i paditur në një rast të tillë”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se për asnjë nga këto raste, institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë llogari dhe nuk kanë qenë transparente për të treguar se si ka ardhur deri të këto padi/dënime dhe se kush janë përgjegjësit dhe cilat janë masat që institucionet tona kanë ndërmarrë për të dënuar personat përgjegjës.

“Asnjëherë deri më tani nuk kemi parë që dikush nga udhëheqësit e institucioneve apo vartësit e tyre të marrin përgjegjësinë për këto raste. Për më shumë, rreth rastit të vendimit të Arbitrazhit për pasaportat, Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar që do të merren masa administrative përkitazi me rastin, dhe si rrjedhojë duket që aty do të filloj dhe mbaroj dhënia e përgjegjësisë brenda këtij institucioni. Në anën tjetër, Kosova paguan qindra mijëra e deri në miliona euro për mbrojtjen e vendit në arbitrazh e humbjet nga taksat e qytetarëve të Kosovës vetëm se rriten, por edhe kjo mbrojtje e shtrenjtë duket të mos mjaftojë për të shpëtuar paranë publike nga keqmenaxhimi”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, të gjitha këto janë dëshmi se udhëheqësit e institucioneve publike nuk janë të interesuar që të menaxhojnë drejt paranë publike, përkundër asaj që vendi ynë ka një buxhet shumë të limituar krahas nevojave enorme për përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit.

Organizatat kërkojnë nga institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre që: personat e përfshirë në këto raste të thirren para përgjegjësisë, përfshirë edhe atë penale; të tregojnë se cilat janë masat që janë ndërmarrë ndaj personave përgjegjës brenda institucioneve që i kanë shkaktuar vendit dëme të mëdha, edhe pse ata mund të mos jenë tani në pozitat ku më parë kanë marrë vendime apo dhënë këshilla në kohën e negociimit apo nënshkrimit të këtyre kontratave që kanë sjellë dëme; të bëjnë publike të gjitha rastet ku institucionet e Kosovës janë të paditura nga kompani ndërkombëtare në Gjykatën e Arbitrazhit si dhe të bëjnë publike kompanitë apo personat e angazhuar për të bërë mbrojtjen e Kosovës, përvojën e tyre në këtë fushë si dhe shumën e parave të kontraktuar me ta.

Organizatat nënshkruese: Çohu, Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Lëvizja Fol, Demokraci Plus (D+), Ec Ma Ndryshe, Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K), Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA), Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS), OJQ QKBN/KCIC, Balkan Sunflowers Kosova, Green Art Center – Prishtina (GAC), Community Building Mitrovica (CBM), Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë, Shoqata e të Verbërve të Kosovës, OJQ ZANA, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button