“Oligarkë të afërt me Putin”, Hungaria kërkon të heqë 9 persona nga lista e sanksioneve të BE-së
Sipas disa burimeve diplomatike, Hungaria po kërkon në mënyrë specifike heqjen e Alisher Usmanov, Pyotr Aven dhe Viktor Rashnikov nga lista e ndalimit të vizave dhe ngrirjes së aseteve.
BE thotë se Aven “është një nga 50 biznesmenët e pasur rusë që takohen rregullisht me Vladimir Putin në Kremlin” dhe se ai “nuk vepron në mënyrë të pavarur nga kërkesat e presidentit”.
Rashnikov, ndërkohë, iu shtua listës në mars, me Brukselin që e përshkruan atë si “një nga oligarkët kryesorë rusë”.
Kjo nuk është hera e parë që Hungaria tenton t’i heqë këta individë nga kjo listë.
Vendi u përpoq ta bëjë këtë edhe gjatë rinovimit të fundit të sanksioneve në muajin shtator, por u tërhoq shpejt për shkak të presionit politik.
Lista e sanksioneve duhet të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së që ajo të rinovohet, dhe afati i ardhshëm për këtë përditësim është data 15 mars.
Hungaria gjithashtu po përpiqet t’i heqë nga lista e sanksioneve motrën e Usmanovit, Gulbahor Ismailova; partnerin e biznesit të Avenit, Mikhail Fridman; oligarkun bjellorus Dmitry Mazepin; birin e tij Nikita Mazepin; dhe oligarkët rusë Grygory Berezkin dhe Viatcheslav Moshe Kantor.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka qenë kritik ndaj qëndrimit të BE-së ndaj Moskës, duke argumentuar se sanksionet e kanë dëmtuar BE-në pa dobësuar Rusinë apo ndihmuar Ukrainën./REL