Ekonomia

OPEC, dështojnë bisedimet; nuk reduktohet prodhimi i naftës

Çmimi i naftës pësoi rënien më të madhe prej dy muajsh pas dështimit të bisedimeve të OPEC-ut në Doha, ku anëtarët e kartelit të arit të zi duhet të diskutonin ngrirjen e prodhimit.

Por tensionet mes Iranit dhe Arabisë Saudite u shpërfaqën edhe në takimin e prodhuesve më të mëdhenj të naftës në botë, e për rrjedhojë në fund nuk pati marrëveshje mbi kufizimin e rezervave.

Pengesat që do të haste kjo ujdi u bënë të qarta pas deklaratës se zëvendës princit saudit te kurorës, Mohamed bin Salman, i cili u shpreh se mbretëria nuk do ta shtrëngojë prodhimin e saj pa angazhimin e lojtarëve të tjerë kyç si Irani, që sapo është çliruar prej sanksioneve ndërkombëtare që i pengonin hedhjen e naftës së tij në tregjet globale e për momentin e përjashton ngrirjen e prodhimit.

Thirrjet për ta shpëtuar marrëveshjen duke ndihmuar kështu në ngritjen e çmimit të naftës bruto nuk patën asnjë efekt.

“Mesa duket, të gjithë kemi nevojë për kohë në mënyrë që të vazhdojmë konsultimet me njëri-tjetrin dhe me prodhues të tjerë të naftës. Kjo mund të zgjasë deri në qershor”, deklaroi Mohammed al Sada, ministër i Energjisë së Katarit.

Ky zhvillim, me shumë gjasë do ta ripërtërije frikën e industrisë së naftës se prodhuesit e mëdhenj do t’i hyjnë sërish betejës për pjesën e trye të tregut, sidomos pas kërcënimit të Rijadit se po nuk u vulos pakti, ai do ta rrisë ndjeshëm sërish prodhimin e vetë.

Rusia, aleate e Iranit dhe e prekur drejtpërdrejtë nga ulja e kuotimit të arit të zi, u shpreh e zhgënjyer nga rezultati i takimit dhe kërkesën saudite e cilësoi si “të palogjikshme”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button