Operacioni “Halabaku”

Pas 49 ditësh protestë, qeveria më në fund e gjeti provën që priste. Jo për korrupsionin, jo për ekonominë. As për largimin e shqiptarëve apo për forcimin e pandalshëm të lekut. As për 135 mijë nxënës më pak në dhjetë vitet e fundit dhe as për 300 shkolla më pak. Nuk gjeti asnjë investitor strategjik të huaj që të kishte sjellë ligji për investitorët strategjikë, siç nuk gjeti asnjë iranian, grek, serb apo rus në mes të protestuesve. Gjeti një halabak me mikrofon.
Entuziazmi është i jashtëzakonshëm. Ministra, deputetë, drejtorë, këshilltarë, analistë të oborrit dhe gjithë brigada e propagandës u hodhën në sulm. Videoja u shpërnda me një shpejtësi që nuk është parë as kur publikohen vendimet e Këshillit të Ministrave dhe as kur lideri thotë “Mirëmëngjes” nga bregdeti i Vlorës, dhe as për 100 milionë dollarët që u fituan nga koncerti i Kanye West. Entuziazmi është i tillë, saqë duket sikur kanë kapur financuesin e protestës, ndërsa në fakt kishin gjetur një njeri që paguhet me sufllaqe.
Sa e brishtë duhet të jetë një qeveri që gëzohet kaq shumë nga një video e tillë?
Logjika është e komplet e rilindur. Kur një ministër përfshihet në një skandal, na shpjegojnë se përgjegjësia është personale. Kur akuzohet për korrupsion një kryetar bashkie, përsëri personale. Kur del një aferë tjetër, prapë personale. Mos guxoni të gjykoni qeverinë nga një individ.
Por sapo një i panjohur, që ka shumë mundësi të kishte ardhur aty pasi ka ngrënë sufllaqen, kap mikrofonin në protestë, ndodh mrekullia: përgjegjësia bëhet kolektive. Për qeverinë, ai flet në emër të mijëra qytetarëve. Një halabak mjafton për të përfaqësuar një protestë të tërë. Aq më tepër kur nga e folura ngjason më tepër me deputetët e Parlamentit, kur i përmendin njëri-tjetrit nënat dhe motrat.
Edhe më komike është sjellja e ministrave. Njerëz që drejtojnë institucione me buxhete miliona euro, që duhet të japin llogari për shëndetësinë, arsimin, ekonominë dhe sigurinë, kalojnë ditën duke ripostuar videon e një halabaku. Ky është niveli i rilindur i debatit qeveritar.
Nëse kjo është arritja më e madhe e pushtetit pas gjithë këtyre javëve proteste, atëherë protesta nuk ka arsye të shqetësohet. Përkundrazi. Është vetë qeveria që po pranon dëshpërimin e madh përballë revoltës së qytetarëve.
Sepse kur ke në dorë qeverinë, administratën, paratë, televizionet dhe gjithë makinerinë e propagandës, por krenaria jote më e madhe është një halabak me mikrofon, atëherë ke pranuar vetë që argumentet të kanë mbaruar dhe je katandisur për të qarë hallin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.