☁️
Tiranë 12°C · Vranët 19 April 2026
S&P 500 7,126 ▲1.2%
DOW 49,447 ▲1.79%
NASDAQ 24,468 ▲1.52%
NAFTA 82.59 ▲0%
ARI 4,880 ▲0%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1786 EUR/GBP 0.8711 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.7963 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3790 EUR/TRY 52.8379 EUR/JPY 186.91 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1786 EUR/GBP 0.8711 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.7963 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3790 EUR/TRY 52.8379 EUR/JPY 186.91 EUR/CAD 1.6123
₿ CRYPTO
BTC $74,533 ▼ -1.71% ETH $2,283 ▼ -3.05% XRP $1.4118 ▼ -1.18% SOL $84.8800 ▼ -1.65%
S&P 500 7,126 ▲1.2 % DOW 49,447 ▲1.79 % NASDAQ 24,468 ▲1.52 % NAFTA 82.59 ▲0 % ARI 4,880 ▲0 % S&P 500 7,126 ▲1.2 % DOW 49,447 ▲1.79 % NASDAQ 24,468 ▲1.52 % NAFTA 82.59 ▲0 % ARI 4,880 ▲0 %
EUR/USD 1.1786 EUR/GBP 0.8711 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.7963 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3790 EUR/TRY 52.8379 EUR/JPY 186.91 EUR/CAD 1.6123 EUR/USD 1.1786 EUR/GBP 0.8711 EUR/CHF 0.9206 EUR/ALL 95.7963 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3790 EUR/TRY 52.8379 EUR/JPY 186.91 EUR/CAD 1.6123
19 Apr 2026
Breaking
Kryeartikull

Opozita zgjodhi kryetarin e ri

Skender Minxhozi

Pjesëmarrësit ishin po ata. Muzika, flamujt, parullat, edhe përgjegjësit politikë të përzier me turmat, ishin gjithashtu të njëjtët. Ndryshonin vetëm veshjet, nga verore në dimërore, përndryshe kushdo mund të thoshte se panë në televizor pamjet e protestave të vitit të shkuar.

Ilir Meta organizoi një miting kundër qeverisë, me popullin e opozitës, të angazhuar për t’i krijuar një kornizë njerëzore përplasjes së rradhës mes kreut të shtetit dhe kryeministrit. Pjesëmarrja në miting ishte ajo që i përket opozitës. As më shumë, as më pak. Një panel partish të angazhuara pas perdeve, për të sjellë në bulevard listat e përkrahësve të tyre, tamam si në vitet ’80, kur lojtarët më të mirë të skuadrave të tjera, luanin për ekipin që ishte kualifikuar në kupat e Evropës, duke veshur fanela me emra të ndryshuar.

Presidenti zbriti në fushën e lojës për t’i dhënë një shkarkesë elektrike opozitës, sipas tij, të fjetur, e që po përdoret nga Edi Rama si fasadë demokratike. Kryetari i shtetit zbriti në shesh kur pakica kishte hyrë më në fund në institucione, pas dy sezonesh protestash të dhunshme. Ky ndërrim pozicionesh mund të tingëllojë i pakuptimtë për ata që kujtojnë se Shqipëria është një vend normal. Por nuk është aspak i tillë nëse filtrohet në epruvetën e interesave meskine politike të palëve.

Kryetari i shtetit e sheh që pozicioni që mban brenda mureve të Preisdencës, nuk i lejon atij hapësirë dhe mundësi për të balancuar peshën e rëndë të Ramës. Ai sheh gjithashtu sesa e mpakur është sot partia që dikur drejtoi, ndërkohë që procesi i shkarkimit që vijon me hap kërmilli në parlament, është gjithsesi një shpatë që qëndron e varur kërcënueshëm. Përtej kësaj, Ilir Meta ka parë në horizont më parë se të tjerët (nuhatja politike s’ka qenë kurrë problem për të), sesi qeveria aktuale merrte premtime të majme financiare në Bruksel për tërmetin, ndërsa francezët dhe të tjerët kanë premtuar praktikisht që kësaj rradhe negociatat janë punë e kryer.

Këto llogari, të gjitha së bashku, janë padyshim një mal jo i vogël për t’u kapërcyer, për të gjithë ata që duan ta shohin të rrëzuar Ramën në zgjedhjet e ardhshme. Dhe vetë Meta, bashkë me Berishën, e do këtë më shumë se kushdo tjetër. E në kushtet kur ish-kryetari i PD nuk ka më asnjë pushtet politik formal, Meta duket se ka vendosur të pushtojë qoftë edhe përkohësisht fushën e lojës së opozitës, për të reklamuar aksionet e veta brenda kampit opozitar.

Sot e djathta zgjodhi virtualisht liderin e saj të ri. Të padeklaruar dhe të paformalizuar, por aktiv, prezent dhe të egërsuar më shumë se kurrë. Ilir Meta e kishte ndarë mendjen prej kohësh që s’do të ishte presidenti i të gjithë shqiptarëve. Me mitingun e të hënës ai tregoi se ka vënë kandidaturë serioze për t’ju kthyer zanatit të vjetër që e braktisi në verën e vitit 2017, kur pranoi me përtesë postin që kurrë s’e përdori siç thonë manualet e detyrës së kryetarit të shtetit. Të paktën nga sot e tutje është i sinqertë edhe me ata që s’e duan…

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.