Rajoni

Optimizëm pas takimit Tsipras-Merkel-Hollande

Megjithëse nuk ka dalë “tym i bardhë” dhe nuk ka pasur asnjë marrëveshje konkrete në takimin e shumëpërfolur, i pesti brenda tre javësh të liderëve të Greqisë, Gjermanisë dhe Francës, të gjithë kanë rënë dakord se klima ka ndryshuar për më mirë dhe çdo gjë po shkon drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Athinës dhe kreditorëve.

Sipas kreut të Eurogrupit, midis Aleksis Tsipras, Angela Merkel dhe Franchois Hollande është rënë dakord të intensifikohen bisedimet midis palëve, kur kanë mbetur vetëm disa çështje teknike pa u zgjidhur dhe ndoshta do të jetë e mundur që marrëveshja të përfundojë në 18 qershor gjatë samitit të ministrave të Eurozonës.

“Unë besoj se udhëheqja politike e Europës e kupton se duhet të ofrohet një zgjidhje praktike për Greqinë dhe mundësia për t’u kthyer me një kohezion social, në mënyrë të sigurtë, me rritje ekonomike. por edhe me një borxh të menaxhueshëm, me një perspektivë e cila do të sjellë përsëri sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Greqi, por edhe në Europë”, tha Tsipras.

Kryeministri grek thuhet se ka shtruar përsëri në tryezë kërkesën për lehtësimin e borxhit grek, si dhe ka kërkuar shtyrjen e programit për nëntë muaj të tjerë, kur merr fund edhe ndihma e FMN-së, me kusht marrjen e disa miliardë eurove nga fitimet e obligacioneve greke që mban BQE-ja.

Edhe takimi i tij me kreun e KE-së, Jean-Claude Junker, i jep një tjetër ngjyrë pozitive përpjekjeve për të shpëtuar Greqinë nga dështimi i marrëveshjes që në rast se ndodh, siç ka paralajmëruar Tsipras, do të ishte fillimi i fundit për eurozonën.

Ndërkohë, pas zërave se mund të jetë e mundur së shpejti arritja e një marrëveshjeje, në Athinë një grup militantësh të Partisë Komuniste greke, duke protestuar kundër negociatave, kanë hyrë me forcë në Ministrinë e Financës, ku kanë varur një pankartë të madhe me fotografitë e tre kyeministrave të fundit ku shkruhej: Boll jemi përgjakur, boll kemi paguar.

Në mëngjesin e së enjtes u bë me dije edhe lajmi se Këshilli i Shtetit ka nxjerrë të pavlefshëm ligjin për reduktimin e pensioneve në vitin 2012, çka do të thotë se qeveria duhet t’u kthejë mijëra pensionistëve gradualisht një shumë të konsiderueshme parash, për të cilat nuk ka asnjë fond ekzistues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button