Orë kritike për Greqinë para samitit të Eurogrupit
Me sytë nga Brukseli ndodhet sot e gjithë Greqia duke shpresuar se do të marrin fund konfrontimet me Gjermaninë dhe do të nënshkruhet në samitin e Eurogrupit kërkesa për zgjatjen me gjashtë muaj e marrëveshjes së huasë me partnerët, të cilën e ka refuzuar përsëri Ministria gjermane e Financave.
Megjithëse tonet midis Athinës dhe Berlinit janë ulur orët e fundit, sidomos pas telefonatës 50-minutëshe të kryeministrit Tsipras me kancelaren Merkel, askush nuk jep një vlerësim sesi do të përfundojë mbledhja e tretë e radhës së ministrave të Financave të Eurozonës për zgjidhjen e krizës mbi kushtet e dorëzanisë për Greqinë.
Zv/kryeministri Janis Dragasakis u shpreh: “Kundërshtimi ynë nuk është ndaj Gjermanisë. Kemi një program që besojmë se nuk arriti qëllimet e tij dhe u krye me një kosto të madhe sociale, një krizë humanitare në thelb. Dhe kemi një mandat publik të freskët që thotë fund masave të kursimit dhe paketës së shpëtimit.”
Edhe guvernatori i Bankës Qendrore greke, Janis Sturnaras, është munduar të qetësojë depozituesit se çdo gjë është nën kontroll përsa i përket rrjedhjes së depozitave nga bankat e vendit: “Qëndrimi i BQE-së në masë të madhe varet nga ajo që do të ndodhë në samitin e Eurogrupit. Kjo është arsyeja pse unë dëgjova me gëzim opinionin pozitiv të zv/kryeministrit. Qëllimi i BQE-së si dhe Bankës së Greqisë është që të sigurojnë likuiditet dhe stabilitet të sistemit bankar.”
Sipas grafikave që publikon revista e përjavshme amerikane ‘Slate.com’, ekonomia greke ka humbur prej vitit 2008, 25% të PBB-së së saj duke vuajtur më shumë se çdo ekonomi e BE-së.
Gjithashtu, ekonomia amerikane filloi të ripërtërihej pas shtatë vitesh të Depresionit të Madh, gjë që ende nuk duket pas Depresionit Grek. Sipas analistëve, Greqia krahasohet me Gjermaninë në vitin 1920, pasi ka humbur Luftën e Parë Botërore. Në këtë kontekst, SHBA-ja ka bërë përsëri thirrje që Athina dhe partnerët të bëjnë lëshime dhe të gjejnë një zgjidhje.
“Financial Times” me tone të larta u bën apel europianëve të paguajnë çmimin sado i lartë, qoftë dhe të mos bëjnë gafën gjigande gjeopolitike të nxjerrin Greqinë nga Eurozona. Burime pranë kryeministrit Tsipras shpresojnë se përkrah Athinës në samitin e Eurogrupit do të jenë Franca dhe Italia dhe se tashmë topi është hedhur përsëri në fushën e huadhënësve.
Nga ana e saj, qeveria greke ka bërë edhe një tërheqje të fundit në pritje të rezultateve të Eurogrupit duke ngrirë përkohësisht votimin në parlament të një seri ligjesh të reformës sociale që nuk përfillin sipas kredititorëve detyrimet e saj të huasë.