Orhan Pamuk, fituesi i Çmimit “Nobël” në Letërsi, jep rrallë intervista politike. Nobelisti turk kërkon të evitojë që polemikat rreth qëndrimeve të tij të zhvendosin fokusin nga thelbi i letërsisë që shkruan. Por rrallë ai e prish këtë rregull dhe këtë gjë e ka bërë gjatë turneut të fundit në Francë, ku ishte për të promovuar librin e tij të fundit, të përkthyer prej kohësh në shqip me titullin “Flokëkuqja”. Me rastin e botimit në Francë të këtij romani që flet për historinë e një ustai dhe një çiraku që hapnin puse ai i ka dhënë revistës “Le Point”-mars 2019, një intervistë sa letrare po aq edhe shprehëse për gjendjen e sotme në Turqinë e Erdoganit. Po botojmë pjesë të kësaj interviste. Dhe është vështrimi i mprehtë i Balzakut të Bosforit.
Le Point: A keni më ju po të njëjtën dëshirë që të shëtisni rrugëve të Stambollit?
Orhan Pamuk: Jo për shkak të situatës politike. Unë nuk shkoj më në restorantet e sofistikuara dhe të mbushura me njerëz. E urrej që të shoh gjithë atë turmë duke qeshur ndërkohë që nuk duhej ta bënin këtë. Unë nuk dua ti shoh ata klientë të lumtur.
Le Point: Ju keni shkruar: “Jam i zemëruar dhe shumë i zhgënjyer për mënyrën si ka ndryshuar vendi im. E keni bërë këtë pas burgosjes së gazetarit Mehmet Altan dhe vëllait të tij shkrimtar Ahmet Altan në shtator 2016. Megjithëatë shtonit se jeni optimist, a ndiheni ende kështu?
Pamuk: Jo, nuk ndihem më. Humori im nuk është si para dy vjetësh. Atëherë ishin përpara zgjedhjet, referendumi, kishte një perspektivë dhe unë përpiqesha të mbaja në jetë optimizmin tim. Sot jam i trishtuar, opozita është thyer, nuk ka alternativë. Partia më e madhe kundërshtare e Erdoganit e rivalizon atë në garën nacionaliste dhe kjo forcon edhe më shumë atmosferën e ngjeshur me nacionalizëm dhe autoritarizëm në vend. Unë jam gjithashtu tejet i zhgënjyer me qëndrimin e Europës.
Le Point: Për çfarë arsyeje?
Pamuk: Duke përjashtuar një grusht intelektualësh idealist, Europa është moskokëçarëse ndaj demokracisë në Turqi. “Ju lutem kujdesuni për Emigrantët”, vetëm këtë thonë Franca dhe Gjermania. Dhe ky është mesazhi i vetëm që u dërgojnë demokratëve turq. Ata duken shumë të kënaqur që e paguajnë me para në dorë qeverinë e ankarasë për t ju hequr qafe muslimanët e shkretë. Dhe pastaj e quajnë islamiste këtë qeveri. Po a është islamizëm që të paguhesh që Europa mos mbushet me emigrant myslimanë?
Le Point: Çfarë duhet të bëjë Europa?
Pamuk: Mos e gjykojë qeverinë e sotme apo të nesërme sipas këtij kriteri të vetëm, që është shumë egoist dhe që i lejon bashkëbiseduesit të tyre ti shantazhojë gjatë gjithë kohës.
Le Point: Erdogani ndër të tjera ka deklaruar: “Europa i’a dedikon paqen e saj aktuale sakrificave të Turqisë dhe popullit turk”…
Pamuk: Nuk mund ta kritikosh hapur qeverinë. Dy vjet më parë, përpara referendumit, gazeta më e madhe e Turqisë, Hurryet më kërkoi një intervistë se përse unë do të votoja JO, etj. Isha shumë i kënaqur për këtë deri sa kryeredaktori më mori n telefon dhe më tha se fatkeqësisht ai nuk kishte mundësi ta botonte. Unë jam një nga shkrimtarët më të rëndësishëm në vend, por unë nuk kam të drejtën të botoj në gazetën më të madhe turke. Ngushëllimi im i vetëm është se libri im i fundit ka shitur më shumë kopje sesa tirazhi i saj.
Turqit e duan shtetin e së drejtës, por ata janë të mërzitur që ai është shndërruar në arbitrar. Qeveria nuk respekton më kushtetutën. Njerëzit qëndrojnë 14 muaj në burg pa një proces të rregullt, ndërsa zëdhënësi i qeverisë gëzohet se po ndërtohen burgje të reja.
Le Point:Pse vazhdoni të qëndroni në Turqi?
Pamuk: Sepse është vendi im. Unë nuk dua të jetoj gjithë kohën në ShBA, ku jap mësim gjatë një semestri dhe pastaj të qaj aty për fatin e atdheut. Unë dua të jetoj në Turqi dhe i dashuroj njerëzit që më thonë: “qëndo këtu”. Unë dua të më rikthejnë vendin tim që nuk është vetëm vendi i atyre që janë në pushtet.
Le Point:Ruheni ende nga një truprojë?
Pamuk: Po kam një të tillë të ofruar nga qeveria. E theksoj këtë për të kuptuar se gjërat janë më të komplikuara sesa duken në sipërfaqe.