OSHEE: 16 milionë usd investim në rrjetin elektrik 20 kv në zonën Paskuqan-Babrru
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nisi sot punimet për rrjetin elektrik të tensionit të mesëm 20 kv në zonën Paskuqan-Babrru, me një investim rreth 16 milionë usd, që pritet të përfundojë brenda 8 muajve, ku përfitues do të jenë 16 mijë abonentë.
Në ceremoninë e nisjes ishte ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, që vlerësoi faktin që ky investim për qytetarët do të thotë përmirësim të cilësisë së shërbimit, energji e pandërprerë dhe një rrjet bashkëkohor.
“Mesazhi është i qartë, paratë që kanë paguar qytetarët, të gjitha kontributet pozitive po fillojnë e po kthehen në investime që do të thotë energji më e sigurtë për ta”, tha ministri.
Sipas tij, Qeveria do t’i ketë me prioritet këto zona dhe OSHEE për shkak të performancës më të mirë, po fillon të investojë aty ku duhet. “Këto investime janë rezultat i rikthimit të ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike dhe vënies së rregullit në pagesën e faturave nga ana e konsumatorëve”, tha ai.
“Kamza do të jetë ndër bashkitë e para që do të nisë të shohë këto vlera investimesh që nuk i kanë parë ndonjëherë deri më tani në rrjetin energjitik”, shtoi Gjiknuri.
OSHEE ka nisur fazën e investimeve në terren me synim, përmirësimin e cilësisë së furnizimit për qytetarët, pas reduktimit të nivelit të humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve me projektet për ndërtimin e rrjetit të ri elektrik.
Në zonën Paskuqan-Babrru projekti parashikon ndërtimin e rrjetit të ri elektrik, që përmban rrjet me tensionin e mesëm 20 kV, kabina transformacioni me tension 20/0.4 kV si dhe ndërtimin e lidhjeve të tensionit të ulët me kabllo ABC.
Administratori i OSHEE-së, Adrian Çela paraqiti të dhënat e projektit që nisi sot me punimet për LOT nr.4, që përfshin zonën e Paskuqanit dhe Babrrusë ku janë të parashikuara pesë LOT-e.
“Shuma e investimit për Paskuqanin dhe pjesën e Babrrusë shkon rreth 16 milion dollarë. Afati i investimeve shkon nga 6 deri në 8 muaj. Investimet përfshijnë rreth 91 kabina të reja, 130 kilometër kabllo për tensionin e mesëm. Kjo zonë ka një rrjet shumë të amortizuar mbi 30 vjeçar dhe nevojat ishin primare për të nisur nga këtu”, u shpreh Çela.
Fiderat aktualë që furnizojnë Paskuqanin dhe Babrrunë rezultojnë me humbje në vlera shumë të mëdha, në 56% ndërsa vjet ishin edhe më të larta, 65%.
Periudha e kryerjes së investimit do të jetë 6-8 muaj dhe pritet të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji për rreth 16.000 abonentë, familjarë dhe biznese.