OSHEE: 47.5 milionë lekë investime për rrjetin në Qytetin Studenti
Zv.ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja shoqëruar nga administratori i OSHEE-së, Adrian Çela inspektuan të hënën, fillimin e fazës së investimeve për rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Qytetin Studenti në periferi të Tiranës.
OSHEE ka planifikuar investimin e 47.5 milionë lekëve për rikonstruksionin e plotë të 10 kabinave ekzistuese dhe ndërtimin e dy kabinave të reja.
Ndërkaq, do të bëhet kalimi nga rrjeti 6 kV i N/Stacionit Traktora 35/110 kV i dhe në rrjetin 20 kV i N/Stacionit Traktora 35/110 kV. Gjithashtu, do të eleminohen të gjithë linjat ajrore të rrjetit 6 kV që janë aktualisht në Qytet Studenti.
Administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha për median se, “ky projekt është pjesë e zinxhirit të investimeve që Operatori i Shpërndarjes po kryen jo vetëm në qytetin e Tiranës, por në të gjithë vendin”. Vetëm për qytetin e Tiranës u shpreh ai, janë rreth 2.5 miliardë lekë investime që janë në proces në zona të ndryshme.
Ndërsa në Qytetin Studenti investimi nuk ka të bëjë me logjikën e mëparshme për ndërhyrje në zonat me humbje dhe vjedhje të mëdha të energjisë. Kjo është një zonë që e paguan në mënyrë të rregullt energjinë, por këtu kemi një rrjet shumë të vjetër të shpërndarjes, i ndërtuar që në vitet ’60. Dhe janë mbi 2500 abonentë që përfitojnë nga këto investime që do të kryhen”, u shpreh Çela.
Sipas tij, investimi do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, minimizimin e defekteve dhe kohës për riparimin e këtyre defekteve.
Ndërkaq, zv.ministri Ilir Bejtja deklaroi se kompania dhe ministria kanë ndjekur politikën që jo vetëm të luftohen lidhjet e paligjshme, vjedhjet apo mospagesa, por t’i kthehemi konsumatorit me investime. Sipas tij, janë pagesat e energjisë, që tani po mundësojnë kryerjen e investimeve të munguara.
“Ne nuk kemi objektiv thjesht të rrisim fitimet e kompanisë, të shlyejmë detyrimet e të tjera si këto, por në rradhë të parë të garantojmë se ky sistem do ta furnizojë energjinë siç e kërkojnë konsumatorët. Megjithë kakofoninë e krijuar gjatë këtyre ditëve, është mirë që njerëzit ta dinë se ky sektor erdhi nga kolapsi dhe tanimë po kthehet në një sistem që vetmbahet, financohet, investon, rrit cilësinë e investimit dhe nuk mobilizon asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit. Ishin 150 deri 170 milionë euro në vit humbje nga sistemi energjetik dhe tanimë ato para mund të përdoren kudo në sektorët e ekonomisë”, u shpreh z. Bejtja.
Investimi në Qytetin Studenti pritet të përfundojë brenda tre muajsh nga data e nisjes së punimeve dhe do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji.