OSHEE: Në Qershor arkëtimet u rritën ndjeshëm dhe u ulën humbjet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) konfirmon stabilitet në tre sektorët kryesorë: në pagesat e faturës së energjisë elektrike, në uljes e nivelit të humbjeve dhe fillimit të investimeve në zona të ndryshme të vendit.
Burime të OSHEE-së njoftojnë se arkëtimet në muajin Qershor arritën në 4.5 miliardë lekë me afro 1.2 miliardë më tepër se qershori 2014 dhe 2 miliardë më shumë se 2013-a.
Në total, si 6-mujor, arkëtimet arritën në vlerën 34.3 miliardë lekë, me 11.4 miliardë më tepër se periudha e njëjtë e vitit 2014, ose me 50% rritje më shumë dhe 82% rritje më shumë se në 2013-tën, ose 15.4 miliardë më shumë.
Ndërkohë OSHEE ka ulur dhe nivelin e humbjeve të energjisë, të cilat në muajin Qershor zbritën në nivelin 28.6%, nga mbi 40% që ishin dy vjet më parë. Si 6-mujor, humbjet në total si teknike dhe ato joteknike (vjedhjet) arritën në 32.3%, nga 40.3% që ishin në 2014-n, apo dhe 45.3% të regjistruara në 6-mujorin e parë 2013.
Kjo performancë e mirë financiare e ka orientuar OSHEE-në që të rrisë investimet, të cilat sivjet kapin vlerën e 5 miliardë lekëve.