OSHEE: S’ka më zarfa, prokurimi është online dhe transparent
OSHEE ka reaguar lidhur me akuzat e Partisë Demokratike, për ndërtimin e godinës së re të institucionit. Në një deklaratë për mediat OSHEE shprehet se i gjithë procesi nis dhe përfundon online, dhe mund të shihet nga kushdo.
“Me keqardhje deklarojmë se Partia Demokratike përdor ende “metodat” e së shkuarës kur qeveriste, duke përmendur “hapje zarfash”, pasi në fakt, aktualisht procesi i prokurimit zhvillohet i gjithi elektronikisht. Me procedura transparente, kritere të publikuara online në APP dhe ku mund të marrë pjesë kushdo, PD, me mendjen nga e shkuara e saj korruptive, mendon akoma si në kohën e “zarfit”. I gjithë procesi nis dhe mbaron online, ku kushdo mund të shikojë dhe të marrë pjesë në garën për tender. Në lidhje me shpenzimet e luksit, i kujtojmë PD-së, por me këtë rast sqarojmë edhe publikun, se OSHEE po i jep fund praktikës së pagesës me qira të ambjenteve aktuale ku ushtron funksionet, kontrata me kosto 2 milionë USD, nënshkruar në kohën kur qeveriste e djathta”, thuhet në reagimin e OSHEE-së.
OSHEE bën të ditur se kompania po investon në gjithë vendin, ku janë hedhur 50 milionë dollarë investime për modernizimin e rrjetit, që sot “është i kalbur”.