Pa perspektivë evropiane nuk ka përgjigje në Itali
Ish-kryeministri i Italisë Enrico Letta flet me DW për ekonominë italiane dhe për integrimin evropian, pas pjesëmarrjes së tij në Forumin Ambrosseti.
Mendoj se ka shumë gjëra për të cilat mund të shqetësohesh për momentin, jo vetëm në ekonomi, por ka edhe mungesë stabiliteti politik dhe pasiguri në lidhje me referendumin për kushtetutën, që do ta kemi në nëntor në Itali. Veç kësaj kemi edhe krizën e refugjatëve, e cila po ushtron sërish një ndikim të fortë në Itali, sepse pas mbylljes së itinerarit ballkanik migrimi është spostuar në itinerarin përmes Mesdheut Qendror. Dhe pastaj janë edhe lajmet e mëdha për rritjen ekonomike prej zero përqind në Itali në tremujorin e dytë të vitit. Pra në përgjithësi ka shumë gjëra për të cilat mund të shqetësohesh, por unë mendoj se Italia i ka aftësitë dhe fuqitë dhe shanset për t’u shlodhur prej tyre. Por duhet të punojmë fort.
Çfarë duhet bërë konkretisht?
Mendoj se duhet të punojmë për dy gjëra. Nga njëra anë ne kemi një shkallë të madhe evazioni fiskal. Por ne kemi edhe taksa të larta dhe të ardhura të larta nga taksat, gjë që është e nevojshme, sepse kemi shpenzime të larta publike. Këto janë problemet e mëdha të Italisë. Na duhet të ulim si shpenzimet publike, ashtu edhe taksat. Këto janë sfida të mëdha, por unë nuk shoh rrugë tjetër për të dalë nga kriza.
A po e lë Evropa Italinë pak vetëm me problemin e refugjatëve?
Problemi është i natyrës më parimore. Unë nuk shoh te BE një koncept të qartë për trajtimin e problemit të refugjatëve. Ne kujdesemi për një problem pas tjetrit, por nuk po zhvillojmë strategji. Na duhet të zhvillojmë instrumentat e nevojshëm për ta trajtuar krizën e refugjatëve, ashtu si bëmë për krizën e euros. Atëherë ne i ndryshuam marrëveshjet tona, krijuam ESM. Një mënyrë e ngjashme veprimi na nevojitet edhe për krizën e refugjatëve. Na duhet të bëjmë një sërë ndryshimesh në marrëveshje, t’i harmonizojmë rregullat për mënyrën e trajtimit të refugjatëve, të ngremë një rojë të përbashkët bregdetare dhe të ngremë një mbrojtje kufiri të përbashkët. Masa si këto.
A keni përshtypjen se ideja evropiane nuk është më kaq e preferuar sa ka qenë më parë?
Absolutisht. Njerëzit janë më pak entuziastë për Evropën dhe pasoja është që politikanët besojnë që edhe ata duhet të jenë më pak entuziastë, për të marrë vota. Dhe kjo do të thotë që do të ketë më pak integrim evropian. E dini, ka shumë sektorë për të cilët nuk ka përgjigje nacionale. Probleme si lufta kundër terrorizmit ose trajtimi i rrymave të refugjatëve. Këto janë tema të ndara, por e përbashkëta e tyre është se për të dyja na nevojiten zgjidhje evropiane. Pa përgjigje evropiane nuk do të kemi përgjigje të forta, por vetëm grindje.
Kryeministri Renzi tha se Brexit mund të jetë edhe një shans për Evropën dhe për ekonomitë evropiane. A mendoni edhe ju kështu?
Mendoj se ai tha me të drejtë se të gjithë ne ishim kundër Brexit. Por siç tha Theresa May: Brexit do të thotë Brexit. E gjitha është shans në kuptimin që ne mund ta mendojmë nga e para dhe ta ristartojmë BE me 27 anëtarë dhe veçanërisht me 19 anëtarët e rinj të eurozonës. Brexit është diçka shumë e keqe, por ne duhet ta shfrytëzojmë këtë shans për një ristartim.
Enrico Letta ishte prej 2013 deri 2014 kryeministër i Italisë. Tani ai është Dekan i Paris School of International Affairs (PSIA), Sciences Po në Paris.