Pagat e policëve do të rriten sërish
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë konferencës “Policia e gjeneratës së re”, ka njoftuar se “pagat e punonjësve të policisë do të rriten përsëri në janar të vitit 2017”.
“Kam një lajm të mirë: pagat e punonjësve të policisë do të rriten përsëri në janar të vitit 2017. Deri dje, polici ishte i tradhtuar nga qeveria e tij, ndërsa sot është në qendër të vëmendjes. Rritja e pagës për herë të dytë brenda 3 viteve është investimi më i mirë”, tha Tahiri.
Ministri shtoi se ky investim është në të mirë të sigurisë së vendit.
“Deri dje ishte hall të ishte polic për shkak të pagës dhe kushteve skandaloze në punë. Punonjësit e Policisë sot paguhen më shumë, pasi ishin personat me pagën më të ulët në vitin 2013. Për dy vite me radhë, jo vetëm që kishin paga të ulta, nuk u paguheshin as orët shtesë dhe dietat. 2.2 milionë euro borxhe që qeveria e kaluar ia kishte policisë, ne i shlyem”, deklaroi Tahiri.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama theksoi se “Policia e Shtetit tashmë rezulton institucioni më i besuar i shqiptarëve”.
“Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë i besoj fjalës së Reganit që thonte “qeveria nuk është zgjidhja, por problemi”. Por, është problem me të cilin çdo shoqëri duhet të jetojë. Nëse ka forcë kritike sot për Policinë e Shtetit, për fat të keq nuk është opozita, por jemi ne vetë. A ka në Policinë e Shtetit njerëz që nuk e meritojnë këtë uniformë? Patjetër. Por, a e meriton e gjithë kjo trupë që i ka dhënë vendit shpresë, që për hir të këtyre personave, të marrë çdo ditë baltë? Në asnjë mënyrë jo”, tha kreu i qeverisë.