Paketa e zgjerimit të BE-së, kërkohet datë për progresraportin
Knut Fleckenstein, David McAllister, Ivo Vajgl, Ulrike Lunacek , Charles Tannock dhe Kati Piri, përkatësisht, raportuesit e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Turqinë, i kërkojnë zyrtarisht Komisionerit Johannes Hahn informacion për datën e saktë të publikimit të paketës së zgjerimit.
Letra, e siguruar nga Top Channel kujton se pas shtyrjes, 21 tetori qarkullon si “një datë e mundshme”, “por meqë Turqia mban zgjedhjet më 1 nëntor,” pritet që ky publikim të ndodhë edhe më vonë.
Zv.Presidentja Lunaçek kërkon zyrtarisht në emër të raportuesve të legjislativit europian, që Komisioni t’i informojë deri në fund të javës për datën e paraqitjes së raporteve të progresit, me argumentin se “kjo do të ndihmojë për planifikimin e agjendave respektive dhe për finalizimin e kalendarit të përcaktuar të rezolutave të Parlamentit Europian mbi 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë”.
Pavarësisht letrës së eurodeputetëve ndaj Komisionerit Hahn, e megjithë interesimin e vazhdueshëm të medias, kryezëdhënësi i KE-së, Margaritis Schinas, përsëriti se “data e publikimit do të njoftohet vetëm pasi Presidenti Juncker të ketë vendosur për çastin e duhur të miratimit të paketës së zgjerimit nga kolegji i komisionerëve”.