Pallati në Elbasan rrezikon të shembet, zjarrfikësit shoqërojnë banorët për të marrë sendet me vlerë
Zjarrfikësit kanë nisur shoqërimin e banorëve për të marrë sendet me vlerë nga banesat e tyre, pasi pallati në Elbasan rrezikon të shembet.
Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kanë mbërritur në pallatin që një ditë më parë u dëmtua rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në një prej apartamenteve. Sipas vlerësimit të tyre, ndërtesa duhet të shembet, pasi paraqet rrezik të madh dhe është e pabanueshme.
Drejtoresha e Institutit të Ndërtimit, Persida Shkrepa, pas inspektimit të objektit, deklaroi se pallati, i ndërtuar në vitet ’70, ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e valës së goditjes nga shpërthimi i gazit dhe zjarrit që pasoi.
Sipas saj, njëri seksion i pallatit nuk është prekur nga shpërthimi, ndërsa pjesa tjetër është e pabanueshme dhe e paarritshme për banorët. Shkrepa theksoi se hyrja në seksionin e padëmtuar duhet të bëhet vetëm nën shoqërimin e forcave zjarrfikëse.
Gjithashtu, ajo bëri të ditur se duhet të merren masa sigurie edhe për objektet përreth, në një rreze prej 30 metrash nga pallati i dëmtuar.
“Atëherë, ky është një objekt që ne kemi konstatuar sot, i ndërtuar në vitet ’70, me një strukturë me soletë SAP dhe tulla silikate. Dëmtimet që ka pësuar kanë qenë të forta nga goditja e gazit, por edhe nga zjarri. Ne kemi konstatuar se objekti është i pabanueshëm dhe do të duhet të merren masa sa më të shpejta për t’u demoluar.
Duhet të merren masa patjetër edhe për banorët që do të duhet të hyjnë në objekt, në seksionin e parë, ku nuk ka pasur goditje. Seksioni i dytë është i pabanueshëm dhe i paarritshëm për asnjë banor. Hyrja duhet të bëhet e shoqëruar nga forcat zjarrfikëse. Gjithashtu, në një rreze prej 30 metrash duhet të sigurohen edhe objektet që janë përreth pallatit”, tha ajo.
Nga shpërthimi humbën jetën dy banorë të pallatit, ndërsa disa të tjerë mbetën të asfiksuar.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.