Politika

Paloka: Dhunë ndaj opozitës, institucionet të hetojnë

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka bërë përgjegjës koalicionin qeverisës për akte dhune në fushatat elektorale të opozitës.

Në një deklaratë për mediat, Paloka ka ftuar institucionet të hedhin dritë mbi ngjarjet e pretenduara, ndërsa ka paralajmëruar se ndëshkimi për qeverinë do të vijë së shpejti.

“Qeveria e nisi fushatën zyrtare me dhunë policore. Banditë, militantë të veshur me uniforma policie i kanë ndërprerë rrugën Alfred Hilës, vëllait të kandidatit të Partisë Demokratike për bashkinë e Vaut të Dejës, Zef Hila dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.

Inspektori i policisë Gjergj Dodani ka qëlluar me armë në drejtim të Alfred Hilës duke e kërcënuar. Pak ditë më parë, më datë 8 maj, Partia Demokratike e Shkodrës kishte denoncuar me një deklaratë implikimin e Policisë së Shtetit në fushatën e PS-së.

Po ashtu, kandidati i Partisë Demokratike Zef Hila ka denoncuar tek drejtori i Policisë së Shkodrës pikërisht Gjergj Dodanin për angazhimin e tij në fushatë duke bërë presion ndaj votuesve demokratë.

Por reagimi i shtetit për këto denoncime ka qenë prita e inspektorit të policisë ndaj vëllait të kandidatit të PD-së. Edhe pas ngjarjes dhe denoncimit të djeshëm të Partisë Demokratike, Ministria e Brendshme hesht, Drejtoria e Policisë hesht.

Asnjë masë ndaj autorit të kësaj ngjarjeje duke vërtetuar kështu, katërcipërisht, implikimin e drejtpërdrejt të shtetit në dhunën ndaj opozitës. Tashmë janë denoncuar dhe raste të tjera si ai i Malësisë së Madhe, që demaskojnë faktin se Policia e Shtetit, në fakt policia e Ramës dhe Tahirit, po përdoren në fushatë kundër opozitës.

Partia Demokratike i paralajmëron dhe një herë, jo vetëm urdhërdhënësit por dhe ekzekutorët e këtyre akteve, se edhe individualisht, ata që po bëjnë cubat një për një do të japin llogari shumë shpejt. Partia Demokratike i bën thirrje misionit të OSBE-ODIHR, dhe përfaqësive diplomatike të BE-së dhe SHBA-së të monitorojnë nga afër këtë përshkallëzim të dhunës dhe terrorit qeveritar.

Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të nisin menjëherë hetimet dhe të venë para përgjegjësisë dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës policore. Më 21 qershor shqiptarët do ju japin përgjigjen e parë Ramës dhe Metës. Fundi i kësaj maxhorance të dhunës e mjerimit është afër”, ka deklaruar Paloka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button