Panariti: Dyfishim të agronomëve dhe analiza tokës, për të luftuar sëmundjet në sera
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, bashkë me agronomë dhe ekspertë të bujqësisë inspektuan të hënën, disa sera në Këmishtaj, të Lushnjes, për të parë nga afër dhe për të marrë masat ndaj një sëmundje që është shfaqur së fundi dhe po dëmton të mbjellat bujqësore në këtë zonë.
Ministri Panariti vuri në dukje se, sëmundja ka shkaktuar dëmtime në disa sera me të mbjella kryesisht me kulturën e trangullit.
“Duhen zbatuar praktikat e prodhimit për të parandaluar këto sëmundje”, tha ministri Panariti, ndërsa siguroi fermerët se do të dyfishojë numrin e agronomëve për t’u siguruar asistencën e nevojshme në rikuperimin e kësaj situate.
“Specialistët do të asistojnë në mënyrë të vazhdueshme fermerët gjatë gjithë procesit të kultivimit dhe prodhimit”, u shpreh kreu i Bujqësisë, ndërsa apeloi për kryerjen e analizave të tokës, të farërave, fidanëve dhe plehërave kimike për të parandaluar sëmundjet në të mjellat bujqësore.
Rajoni i Lushnjes konsiderohet tashmë si hambari i eksporteve për prodhimet e freskëta bujqësore, duke u vlerësuar si zona më e rëndësishme e sektorit të bujqësisë në ekonominë e vendit.
Vetëm në Lushnje, sipërfaqja e serave është shtuar këtë vit me 7% duke arritur 473 ha në total, ndërsa modelet e prodhimit në sera synojnë të zgjerohen në mbarë vendin.