MaqedoniaRajoni

Papa në Maqedoninë e Veriut: Vendi juaj, urë midis Lindjes dhe Perëndimit

Papa Françesku në adresimin e tij para zyrtarëve të lartë dhe korit diplomatik të Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar se “Maqedonia e Veriut është një urë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe është vend ku takohen rrymat kulturore, ku bashkohen shumë tipare të veçanta të këtij rajoni”.

Pasi u prit me ceremoni solemne nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, presidenti i sapozgjedhur, Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev, si dhe ministra tjerë qeveritarë.  Papa Françesku në fjalimin e tij tha se për herë të parë pasardhësi i Apostullit Pjetër vjen në Maqedoninë e Veriut dhe theksoi se kjo vizitë për të është një gëzim pasi e realizon në 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut, që filluan disa vite pas shpalljes së pavarësisë në shtator të vitit 1991.

“Vendi juaj është një urë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe është vend ku takohen rrymat kulturore, ku bashkohen shumë tipare të veçanta të këtij rajoni. Dëshmitë e rëndësishme të kaluara bizantine dhe otomane, fortesat e forta të maleve dhe ikonostasit e bukur të kishave të vjetra tregojnë praninë e kohës së apostujve”, theksoi Papa Françesku.

Ai theksoi se kjo kulturë e pasur paraqet pasqyrën më të rëndësishme dhe më të vlerësuar të Maqedonisë së Veriut dhe ajo është, siç tha ai, përbërja multietnike dhe multikulturore që është fryt e historisë së pasur, por edhe e marrëdhënieve komplekse të ndërlikuara të themeluara në shekujt e kaluar.

“Kjo përzierje e etnive të ndryshme mundëson të arrihet bashkëjetesa e qetë dhe e gjatë në të cilën identitetet e ndryshme dinë si të shprehen dhe zhvillohen pa shtypur dhe diskriminuar të tjerët. Në këtë mënyrë është krijuar një marrëdhënie më e mirë me tolerancën”, tha Papa. Më tej, ai theksoi se këto karakteristika janë me rëndësi të madhe për rrugën më të shpejtë drejt integrimit evropian.

“Uroj që ky integrim të kalojë në mënyrë pozitive për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe që gjithmonë të zhvillohet duke respektuar diversitetn dhe të drejtat themelore”, u shpreh Papa Françesku. Për komunitetet e ndryshme etnike dhe fetare në Maqedoninë e Veriut, ai tha se janë një mozaik në të cilin çdo gurë është i nevojshëm për origjinalitetin dhe bukurinë e fotografisë së tërë.

Papa Françesku në fjalimin e tij po ashtu iu referua edhe kontributit që Maqedonia e Veriut ka dhënë në krizën e migracionit, duke theksuar se vendi bëri një përpjekje madhështore përmes autoriteteve të saj shtetërore dhe përmes kontributit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, duke mundësuar dhe ndihmuar numrin e madh të emigrantëve nga vendet e Lindjes së Mesme, për të cilët tha se po iknin nga lufta ose varfëria ekstreme, shpesh të shkaktuara nga ndërhyrjet ushtarake. “Kur në vitin 2015 dhe 2016 i kaluan kufijtë tuaj, pjesa më e madhe prej tyre me synim drejt Evropës veriore dhe perëndimore, te ju gjetën një strehim të kënaqshëm. Solidariteti i cili iu shfaq atyre të cilët në atë kohë kishin nevojë nga shkaku se kishin humbur shtëpinë, atdheun dhe më të dashurit e tyre, ju bën të ndershëm dhe flet për shpirtin e këtij populli”, tha Papa Françesku.

Mes tjerash, ai tha se dëshiron të nderojë Nënë Terezën e cila është një bashkëqytetare e shkupjanëve, e cila e frymëzuar nga dashuria e Perëndisë, u bë figurë për admirim në të gjithë botën, pasi u vu në shërbim të të varfërve dhe të refuzuarve. “Zoti e ruajtë dhe bekoftë Maqedoninë e Veriut, të bëjë të ruaj harmoninë dhe i dhashtë përparim dhe gëzim”, ishte porosia e Papës.

Ndërkaq, presidenti Ivanov tha se marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyera midis vendit të tij dhe Vatikanit janë ndërtuar mbi besimin dhe respektin e thellë shekullor, siç theksoi, të popullit maqedonas ndaj Selisë së Shenjtë. “Në mënyrë simbolike, kjo vizitë historike zhvillohet në 25 vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë (së Veriut) dhe Selisë së shenjtë. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin tonë evropian dhe në përgjithësi për përparimin e vendit tonë”, deklaroi Ivanov. Presidenti Ivanov po ashtu u bëri thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të tij, siç theksoi ai, “pa marrë parasysh nëse i përkasin fesë ortodokse, katolike, të krishtere, muslimane, hebreje apo ateiste”. “Ju bëj thirrje për të njohur simbolikën e kësaj vizite dhe përmes përulësisë dhe faljes, pajtimit dhe unitetit, me përgjegjësi dhe respekt, të angazhohemi në ripërtëritjen shpirtërore të Maqedonisë (së Veriut) para se të jetë vonë”, u shpreh ai.

Papa Françesku këtë mëngjes arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi, ku u prit nga delegacioni i udhëhequr nga presidenti Ivanov dhe kryeministri Zaev. Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në vend, në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi u organizua pritje me nderime solemne ushtarake. Pas intonimit të himneve të Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku dhe presidenti Ivanov realizuan takim në pallatin presidencial. Në kuadër të vizitës së tij, gjatë ditës në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në qendër të Shkupit, Papa u takua me udhëheqësit fetarë dhe të afërmit e Nënë Terezës, ndërsa më pas do të takohet edhe me një grup të rrezikuar të qytetarëve. Në sheshin qendror “Maqedonia”, Papa po mban Liturgjinë e Shenjtë në prani të mijëra qytetarëve nga vendi dhe jashtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button