Paqja Fiskale në fuqi brenda majit, qeveria përmbyll aktet për kërkimin shkencor! Çfarë duhet të dimë sot nga mbledhja e qeverisë
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, kanë bërë publike
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, kanë bërë publike vendimet më të fundit të qeverisë, duke u ndalur në çështje që prekin diasporën shqiptare, politikat fiskale dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, njoftoi ratifikimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Polonisë për sigurimet shoqërore, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm për mbrojtjen sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Sipas tij, kjo është marrëveshja e 21-të që qeveria shqiptare ndërmerr me vende ku ka diasporë, si dhe e 10-ta me vendet e Bashkimit Europian.
“Janë marrëveshje shumë të nevojshme, sidomos për ata shqiptarë që punojnë jashtë territorit të Shqipërisë dhe duan t’u njihen vitet e punës që kanë pasur në vendin tonë,” u shpreh Malaj, duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për të vijuar me marrëveshje të ngjashme.
I pyetur për marrëveshjen me Greqinë, Malaj theksoi se negociatat janë intensive për shkak të numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë atje.
“Jemi besimplotë se do ta konkludojmë një marrëveshje të tillë, por është një proces kompleks për shkak të kushteve dhe volumit të madh të diasporës,” tha ai.
Ministri bëri të ditur se Paketa e Paqes Fiskale pritet të hyjë në fuqi brenda muajit maj. Sipas tij, aktet nënligjore janë drejt përfundimit dhe janë diskutuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Brenda muajit maj do të kemi mbyllur proceset respektive dhe do të dalim me të gjitha aktet nënligjore,” theksoi Malaj.
Nga ana tjetër, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, njoftoi miratimin e aktit të 12-të nënligjor në zbatim të ligjit për shkencën, duke përmbyllur kështu detyrimet ligjore që lidhen me Kapitullin 25 të negociatave me Bashkimin Europian.
Ky kapitull lidhet me kërkimin shkencor dhe konsiderohet një nga të parët që pritet të mbyllet.
“Ky është një lajm shumë i mirë për botën akademike dhe kërkimin shkencor, pasi përmbyllim një paketë të rëndësishme që organizon institucionet dhe aktivitetin kërkimor në përputhje me standardet europiane,” u shpreh Kumbaro.
Ministrja u ndal edhe te projektet pas-shkollore, duke bërë të ditur se ato do të zgjerohen për të krijuar më shumë hapësira për nxënësit.
“Janë programe që zhvillohen prej rreth 10 vitesh dhe tashmë do të zgjerojmë gamën e aktiviteteve, përfshirë edhe Olimpiadën e Gjuhëve të Huaja,” tha ajo.
E pyetur për një rast të publikuar në rrjetet sociale, ku persona të dyshimtë janë parë pranë shkollave në Tiranë, Kumbaro u bëri thirrje prindërve të mos alarmohen.
Ajo theksoi se masat e sigurisë janë në fuqi dhe bashkëpunimi me policinë është i plotë.
“Patrullat janë të pranishme në oraret kryesore dhe po rrisim numrin e oficerëve të sigurisë në shkolla për çdo sinjalizim,” deklaroi ministrja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.